Lojëra

Kina i quan lojërat online ‘drogë elektronike’, bien aksionet


Në Kinë, aksionet në dy firmat më të mëdha të lojërave online kanë rënë pasi një media shtetërore i quajti ato “drogë elektronike”.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se aksionet e dy firmave, Tencent dhe NetEase, kanë rënë me më shumë se 10 për qind në tregtinë e hershme të Hong Kong-ut para se ato të rifitonin disa nga humbjet.

Nisur nga kjo, investitorët janë gjithnjë e më të shqetësuar për goditjen e firmave nga Pekini.

Gjatë muajve të fundit, autoritetet kanë njoftuar një sërë masash për të forcuar kontrollin e tyre mbi teknologjinë dhe kompanitë private të arsimit.

Një artikull i botuar nga Economic Information Daily ka nxjerrë se shumë adoleshentë ishin bërë të varur nga lojërat në internet dhe kjo kishte një ndikim negativ tek ata. Dhe kjo gazetë është e lidhur me agjencinë zyrtare të lajmeve, Xinhua.

Artikulli citoi lojën jashtëzakonisht të popullarizuar të Tencent-it, “Honor of Kings”, duke thënë se studentët po e luanin atë deri në tetë orë në ditë dhe kërkoi më shumë frenime në industri.

“Asnjë industri, asnjë sport, nuk mund të lejohet të zhvillohet në një mënyrë që do të shkatërrojë një brez”, ka thënë ajo para se të krahasojë lojërat online me “opiumin shpirtëror”.

Nga ana tjetër, Tencent-i ka thënë se do të prezantojë masa të reja për të zvogëluar aksesin e fëmijëve dhe kohën e kaluar në lojën e tij “Honor of Kings”. Gjithashtu kompania ka treguar se po planifikon që së fundi të prezantojë politikën e re për të gjitha lojërat e saj.

“BBC” zbulon se rimëkëmbja e çmimeve të aksioneve erdhi pasi Economic Information Daily fshiu artikullin nga llogaria e vet në platformën e mediave sociale, Wechat.

Ndërkohë, Tencent-u pa aksionet e veta që të binin gjatë javës së kaluar pasi u urdhërua të mbyllte marrëveshjet ekskluzive të licencimit të muzikës me shtëpitë diskografike në të gjithë botën.

Lëvizja kishte për qëllim trajtimin e dominimit të gjigantit teknologjik në transmetimin e muzikës online në vend. Kjo pasi ai aktualisht kontrollon më shumë se 80 për qind të të drejtave ekskluzive të transmetimit të muzikës në Kinë pas një blerjeje në vitin 2016.

Mirëpo, Tencent-i është vetëm një nga një numër i konsiderueshëm i kompanive kineze të listuara në SHBA, Hong Kong dhe Kinën kontinentale, të cilave u ranë ndjeshëm aksionet këtë vit teksa Pekini godet industritë e teknologjisë dhe arsimit në vend.

Lidhur me udhëzimet e reja, ato gjithashtu kufizuan investimet e huaja në industri.

Dhe ky ndryshim i madh në politikë erdhi teksa autoritetet u përpoqën të lehtësojnë presionet financiare të rritjes së fëmijëve.

Madje, zyrtarët janë shqetësuar pasi regjistrimi i fundit i Kinës tregoi se niveli i lindjeve kishte rënë në nivelin më të ulët në shtatë dekada.

“BBC” zbulon se  ky është një nga rregullimet më të mëdha ndonjëherë të sektorit të mësimit privat në vend me një shumë prej 120 miliardë dollarësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore