Lajme

Kina do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes me 7.2 për qind


Kina do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes këtë vit me 7.2 për qind në 1.56 trilion juanë (230 miliardë dollarë), sipas një drafti të publikuar të dielën nga Ministria e Financave.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi amerikan “CNBC”.

Buxheti i mbrojtjes i Kinës u rrit me 7.1 për qind vitin e kaluar në 1.45 trilion juanë, më shpejt se rritja prej 6.8 për qind në 2021 dhe rritja me 6.6 për qind në 2020, sipas të dhënave zyrtare.

Në vitin 2019, shpenzimet e mbrojtjes së Kinës u rritën me 7.5 për qind në 1.19 trilion juanë.

Në një raport të veçantë të dielën për punën e qeverisë, kryeministri Li Keqiang nuk përmendi luftën Rusi-Ukrainë.

“Ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar ndaj një politike të jashtme të pavarur paqeje”, thuhet në raport.

Raporti i punës bëri thirrje për “hapa të vendosur për të kundërshtuar “pavarësinë e Tajvanit” ndërsa i qëndronte thirrjes së Pekinit për “ribashkim paqësor”.

Tajvani është një ishull i vetëqeverisur në mënyrë demokratike që Pekini pretendon se është pjesë e territorit të tij.

Qeveria amerikane autorizoi në dhjetor mbi 800 miliardë dollarë shpenzime për mbrojtjen për vitin fiskal që përfundon më 30 shtator 2023.

Përveç inflacionit të brendshëm, plani i shpenzimeve vuri në dukje nevojën për të kundërshtuar aftësitë ushtarake kineze dhe ruse.

Kjo është dukshëm më e lartë se vitet e mëparshme.

Në vitin fiskal 2022, SHBA-të shpenzuan 767 miliardë dollarë, ose 12 për qind të buxhetit të saj, për mbrojtjen kombëtare, sipas të dhënave të Thesarit.

Kjo ishte rreth 2 për qind më shumë se 755 miliardë dollarët e shpenzuar në vitin 2021, treguan të dhënat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore