Lajme

Kina dhe Japonia rivalizojnë në frontin e luftës së Ukrainës


Presidenti kinez, Xi Jinping, prej 20 marsit ka nisur një vizitë zyrtare në Moskë, ku është takuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe për të treguar qartësisht qëndrimin radikalisht kundër këtij fronti lindor të krijuar, kryeministri japonez, Fumio Kishida, njëkohësisht po zhvillon një vizitë zyrtare në Ukrainë.

Duke lënë një buqetë me lule në nder të të rënëve, është pari ky i fundit në Bucha, një rrethinë e Kievit, ku trupat ruse kanë kryer edhe masakrat më të mëdha njerëzore, që prej fillimit të agresionit karshi Ukrainës, më 24 shkurt 2022.

Duke premtuar mbështetje të pakushtëzuar ndaj kauzës së Ukrainës, Kishida ka reflektuar qasjen krejtësisht të ndryshme të Tokyos në raport me luftën.

Një qasje kjo, tërësisht pro-perëndimore dhe e ndryshme radikalisht nga ajo e Xi Jinping.

Presidenti kinez, ka shkuar në Rusi me në agjendë dy gjëra kryesore: Promovimin e planit të paqes me 12 pika, të propozuar nga vetë ai dhe forcimin e raporteve me Putinin.

Shqetësim kjo vizitë, ka shkaktuar edhe për SHBA-të, për të cilat një lider botëror si Jinping, duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj Putinit, lidhur me ndalimin e luftës, siç deklaroi edhe zëdhënësi për shtyp i Këshillit të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby.

“Ne shpresojnë se presidenti Xi do të ushtrojë presion, për të ndaluar bombardimet në qytetet ukrainase, në spitale, shkolla, për të ndaluar krimet e luftës dhe për të tërhequr trupat e tij”, ravijëzoi Kirby gjatë një konference për shtyp.

Megjithatë, ka një shqetësim të madh real, se Pekini zyrtar në fakt, më së shumti po e ndihmon Rusinë, se sa po e ndëshkon për veprimet e ndërmarra.

Një tregues i tillë, është edhe ai i rritjes së tregtisë së naftës mes dy vendeve, ku Moska po gjen një treg të hapur dhe voluminoz për të çuar naftën e saj, shpesh të mbetur stok, për shkak të sanksioneve perëndimore.

Dyshime ka po ashtu se Xi, po e ndihmon Putinin në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me armatime. Por, këto mbeten akuza ende të pafaktuara nga shërbimet inteligjente.

Me rëndësi të madhe sakaq, tregohet në këtë front qëndrimi i popullit japonez dhe lidershpit në Tokyo, të cilët për perëndimin, raportohen së fundmi si një superfuqi botërore, ku mbështetja do të jetë e pakushtëzuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore