Shqipëria

Kim: Shqiptarët të rinovojnë kartat e identitetit


Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të rinovojnë kartat e identitetit nëse u kanë skaduar.

Kjo thirrje, vjen për shkak se për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit, do të nevojitet karta e identitetit.

“Lëshimi i kartave të reja biometrike të identifikimit është pjesë thelbsore e marrëveshjes së 5 qershorit”, shkruhet në postimin e Ambasadës Amerikane.

Postimi përmbyllet me thirrjen për të mos pritur deri në çastin e fundit, pasi kështu rrezikohet vota e 25 prillit. “Merrni kartat tuaja të reja *tani* në mënyrë që të votoni”.

Sistemi i ri zgjedhor ka futur në përdorim edhe teknologjinë. Qytetarët tashmë do të duhet të paraqiten me kartat e identitetit në qendrat e votimit. Votimi pa mjetin e identifikimit biometrik do të jetë i pamundur.

Çështja e futjes së teknologjisë hapi debate të shumta gjatë bisedimeve të reformës zgjedhore. Përfshirja e teknologjisë ishte ndër kushtet kryesore të opozitës shqiptare për procesin zgjedhor.

Mazhoranca fillimisht nuk ra dakord për shkak të kohës së pakët përpara zgjedhjeve dhe vështirësive teknike që paraqiteshin.

Pavarësisht kësaj, marrëveshja e 5 qershorit përfshiu teknologjinë në procesin zgjedhor. Momentalisht janë në garë dy kompani për fitimin e tenderit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore