Shqipëria

Kim: Shqipëria dhe SHBA-të duhet ta mbajnë pranë njëra-tjetrën


Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, të dielën e 12 dhjetorit ka dhënë mesazhin se Shqipëria dhe SHBA-të duhet ta mbajnë gjithmonë pranë njëra-tjetrën.

Ky postim i saj ka ardhur pasi ky viti ka shënuar dhe 30-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.

Mesazhi i saj ka ardhur pikërisht duke rikujtuar me një video mbërritjen dhe mesazhin e ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri.

“Teksa arrijmë në fund të vitit 2021, që shënon 30 vjet të marrëdhënieve tona, desha të ndaj këtë mesazh nga William Edwin Ryerson, ‘Një nga momentet më të rëndësishme në Shqipëri erdhi gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker III’”.

Pikërisht në këtë moment ambasadori deklaroi se vërejti një polic i cili u përlot në momentin që Baker tha se, “ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”.

Kim duke u ndalur te ky mesazh e mbylli se, “ai ‘moment tregues’, është po aq i fuqishëm, i rëndësishëm dhe i vërtetë sot sa ishte 30 vjet më parë”.

Ryerson ka shërbyer si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, nga viti 1991 deri në vitin 1994. Ndërsa Baker ka shërbyer si Sekretar Amerikan i Shtetit nën administratën e ish-presidentit republikan George H. W. Bush.

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-ve u rivendosën më 15 mars 1991.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore