Shqipëria

SHBA-ja, pajisje për mbrojtjen e kufirit shqiptar


Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e dorëzimit të pajisjeve, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të cilat do shërbejnë për kontrollin dhe mbikëqyrjen në pikat e kalimit kufirit.

“SHBA-ja do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë në luftën kundër krimit. Pajisjet e dhuruara për Policinë e Shtetit synojnë që të rrisin rezultatet e Policisë së Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimeve ndërkufitare”, është shprehur Ambasadorja Amerikane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri (SHBA).

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe Ambasadorja Yuri Kim, kanë vlerësuar marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të SHBA-së.

Drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar përfaqësuesit e Kontollit të Eksportit dhe Sigurisë Kufitare (EXBS) dhe ambasadoren e SHBA-së, për dhurimin e pajisjeve me vlerë 108 mijë e 243 dollarëve.

“Falë mbështetjes së vazhdueshme logjistike nga Programi EXBS, Policia Kufitare disponon sot pajisje bashkëkohore, të cilat përdoren gjatë kontrollit në Pikat e Kalimit të Kufirit, kryesisht për kontrollin e kamionëve dhe autobusëve, për detektimin e lëndëve radioaktive, skaner portativ me rreze X, si dhe për mbikëqyrjen e kufirir”, është shprehur Veliu.

Ai ka shtuar se qëllimi mbetet mbi të gjitha konsolidimi i rendit dhe sigurisë dhe krijimi i një mjedisi të sigurt për qytetarët.

“Tashmë jemi përpara procesit për zgjedhje të përgjithshme. Duke përfituar nga ky moment dua t’ju siguroj dhe garantoj juve e nderuar ambasadore, të gjithë partnerët dhe mbarë qytetarët e Shqipërisë se Policia e Shtetit edhe në këtë proces zgjedhor do jetë e orientuar vetëm në zbatimit të ligjit, me synimin për të përmirësuar më tej standardin pozitiv”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore