Shqipëria

Yuri Kim: Reforma në drejtësi e vështirë, por po ecën përpara


“Hetuesit e BKH-së po trajnohen. Reforma në drejtësi nuk është e thjeshtë, e shpejtë apo perfektë, por po lëviz përpara – edhe nëse të këqijtë nuk duan”.

Kështu është shprehur Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, pas kalimit të aplikimeve nga 28 kandidatë, për rolin e hetuesit në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“SPAK po heton më shumë, po sekuestron asete dhe po çon kriminelët pas hekurave”.

Sipas ambasadores, Gjykata Kushtetuese është funksionale dhe ajo e Lartë po shqyrton çështje. Vettingu gjithashtu vazhdon.

Më 1 prill, Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës, mbylli verifikimet e kushteve të sigurisë për kandidatët.

Nga 37 aplikantë, vetëm 28 e kaluan këtë fazë. Tashmë ata do t’i nënshtrohen trajnimit përkatës. Më pas, vijohet me fazën e certifikimit.

Komisioni i Pavarur i Rishikimit monitoroi gjithë procesin. Ai është caktuar nga misionet e Qeverisë së SHBA-së dhe nga Bashkimi Evropian.

Një njoftim i dytë për 32 pozicione të tjera të lira, do të hapet në vijim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore