Shqipëria

Kim, pak ditë para Kuvendit Kombëtar të Berishës: Të mos kthehemi pas


Pak ditë para Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, që do të mbahet nga ish-lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shqipëri, Yuri Kim, ka bërë thirrje “për ta çuar Shqipërinë përpara dhe jo prapa”.

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, përmes një postimi në median sociale Twitter, Kim shprehet se duhet “të zgjedhim të ardhmen dhe jo të shkuarën”.

Gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e Amerikës për të vazhduar mbështetjen ndaj studentëve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.

“Jemi krenarë që jemi aleati juaj në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe mbështetja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE)”.

Dita Kombëtare e Rinisë

8 dhjetori shënon tashmë Ditën Kombëtare të Rinisë dhe 31-vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Që prej vitit 2009 – vendim i marrë nga Kuvendi i Shqipërisë – data përkujtohet si festë kombëtare.

Kjo, në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990.

Disa pedagogë dhe studentë të Universitetit të Tiranës, më 8 dhjetor 1990 u bënë nismëtarët e kthesës historike.

Protestave që sollën rënien e sistemit komunist në Shqipëri.

Lëvizja Studentore është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Ishte motoja e atyre që kërkonin ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës.

Ata i dhanë fund epokës së vetizolimit komunist dhe sundimit ideologjik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore