Shqipëria

Kim: Nëse inkurajimi i gjyqtarëve është ndërhyrje, SHBA-të do vazhdojnë ta bëjnë


Pas akuzave të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, për ndërhyrje në Gjyqësor, ka ardhur dhe reagimi i kësaj të fundit.

Përmes një postimi në Twitter, Kim thekson se, nëse “ndërhyrja në procesin gjyqësor” do të thotë inkurajimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA e ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë, sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-ve”, ravijëzoi Kim.

“Guvernatorja”, referuar ambasadores amerikane, theksoi Berisha, bën takime për procesin gjyqësor duke mos pasur asnjë bazë ligjore.

“Shpreh keqardhjen, por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor”.

Madje, ish-lideri i PD-së i bëri thirrje qeverisë amerikane “që të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore”.

Berisha garantoi sakaq se askush nuk mund ti diktojë opozitës “akuzat që duhet të bëjë dhe s’duhet të bëjë”.

Më herët, ambasadorja Kim, do të dënonte “gjestin” e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj kryetarit të mandatuar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë ‘jo!’, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”, shkruante Kim në median sociale Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore