Shqipëria

Kim “largon” DASH-in nga Berisha: Shpallja non grata erdhi nga provat e shumë institucioneve amerikane


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ka garantuar se shpallja non grata e ish-kryeministrit Sali Berisha, nuk lidhet vetëm me Departamentin e Shtetit.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, diplomatja ravijëzoi se dizenjimi i dikujt për përfshirje në korrupsion domethënës merr vite.

“Të gjitha ato raste kalojnë një proces shumë rigoroz shqyrtimi nga një numër agjencish. Këtu përfshihen qindra njerëz, qindra ekspertë që kalojnë të gjitha të dhënat”, siguroi Kim.

Këtu përfshihen, sipas saj, agjenci si Departamenti i Thesarit, FBI, CIA.

Referuar pozicionit të ish-liderit demokrat, ambasadorja i ka konsideruar “fantazi”, aludimet se ky dizenjim është hakmarrje politike.

“Ideja se ky është një dizenjim që në njëfarë mënyre është hakmarrje politike, apo se ndodh sepse nuk na pëlqen pozicioni i dikujt mbi Kosovën, apo se ndodh se dikush na urdhëroi; gjëja më dashamirëse që mund të them për këtë lloj argumenti është se është fantazi”, vijoi Kim.

Sa i takon figurës së liderit aktual të demokratëve, Lulzim Basha, ambasadorja sqaroi se ai mori informacion lidhur me çfarë do të thotë përcaktimi dhe cilat janë pasojat.

“Besoj se bazuar mbi atë informacion, Basha dhe të tjerët morën vendimin e tyre”, shtoi Kim gjatë intervistës.

Pyetjes nëse Basha ka parë privatisht fakte apo prova për këtë dizenjim, diplomatja iu përgjigj se “bisedat private janë private”.

Ambasadorja theksoi sakaq se nuk ka asnjë provë që mund të bëhet publike në asnjë proces gjyqësor.

“Në asnjë rast nuk paraqesim një dosje provash. Nuk është ky procesi”.

Kjo përgjigje e diplomates amerikane vjen në një kohë kur Berisha ka hapur një proces gjyqësor në Paris për këtë çështje.

Madje ish-kryeministri ka pohuar disa herë se do e tërheqë padinë “vetëm nëse Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kërkon falje”.

Reforma në drejtësi

Ambasadorja u ndal edhe te reforma në drejtësi duke deklaruar se qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë prej saj.

Gjatë intervistës, diplomatja i pranoi kritika në drejtim të reformës.

Ndër të tjera, Kim tha se qytetarët duhet të vazhdojnë trysninë mbi institucionet e reja të drejtësisë.

“Mendoj se ata që janë kritikë të zbatimit të reformës në drejtësi ngrenë disa pika me vend dhe mendoj se pjesë e procesit të një reforme kaq të madhe sa kjo është të dëgjosh kritikat”, nënvizoi më tej diplomatja amerikane.

Për politikanë shqiptarë, ajo rezervoi mesazhin se “ata nuk duhet të habiten dhe nuk mund të presin më imunitet”.

Duke sjellë sërish në vëmendje një fakt, Kim shtoi se në Shqipëri ka “njerëz që kërkojnë mënyra për ta ndaluar zbatimin e reformës në drejtësi”.

“Mendoj se shumë njerëz ndihen shumë rehat dhe mendoj që do donin ta kthenin kohën pas që të jetë siç ka qenë, ku ka pandëshkueshmëri, nuk ka llogaridhënie. Merr ryshfet, s’të ndodh gjë. Nënshkruan kontrata, s’të ndodh gjë. Jep prokurime tek miqtë, s’të ndodh gjë. Kjo do të ndryshojë së shpejti. Po ndryshon”, u angazhua në fjalën e saj ambasadorja.

8 janari

Ndërsa u pyet për ngjarjet e dhunshme të regjistruara më 8 janar në selinë e Partisë Demokratike, Kim sqaroi se “Shtetet e Bashkuara u skandalizuan”.

“Do t’i kthehem 8 janarit, mendoj kur njerëzit pane pamjet, kur njerëzit dëgjuan retorikën, mendoj se u skandalizuan”, deklaroi ajo fillimisht.

Sipas diplomates amerikane “nuk duam të shohim askënd ta tërheqë këtë vend mbrapsht në të kaluarën, në një lloj politike që nuk do ta shohë askush”..

Askush, për ambasadoren, nuk do që të shohë dhunë politike.

Referuar situatës, Kim u shpreh se “duam të shohim një Shqipëri që është vendosmërisht në familjen perëndimore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore