Shqipëria

KiE-ja përforcon aftësitë ushtarake në Ballkan, gati 6 milionë euro


Këshilli Evropian (KiE) miratoi një masë ndihme në kuadër të Fondit Evropian të Paqes (EPF) me vlerë 6 milionë euro.

Kjo, në dobi të Task Forcës Mjekësore Ballkanike (BMTF).

Është e rëndësishme të theksohet se masa e asistencës do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve të BMTF-së duke prokuruar pajisjet dhe materialet e nevojshme.

Kjo, për njësitë mjekësore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH), Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të cilat marrin pjesë në këtë task-forcë.

“Në këtë kontekst, masa synon të forcojë kapacitetet mjekësore ushtarake të rajonit dhe përpjekjet për të ofruar ndihmë për civilët, dhe në fund të kontribuojë në bashkëpunimin dhe kohezionin rajonal. Për të arritur qëllimin, masa do të ndihmojë në financimin e fondeve për lëvizshmërinë, komponentët për spitalet në terren nën rolin 2, pajisjet dhe furnizimet laboratorike dhe pajisjet e IT dhe komunikimit”, thuhet në deklaratë.

Ndihma është kërkuar në emër të BMTF-së nga Republika e Maqedonisë së Veriut në muajin prill.

EPF-ja u krijua në vitin 2021 për të mbështetur partnerët në mbarë botën në fushat e ushtrisë dhe mbrojtjes, dhe me qëllimin përfundimtar për të parandaluar konfliktin, ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Ndërsa BMTF-ja u krijua si një iniciativë rajonale që bashkon gjashtë vende pjesëmarrëse, përkatësisht Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Slloveninë.

Kjo, me synimin për të ofruar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj vendeve ose rajoneve të goditura nga fatkeqësitë duke përdorur kapacitetet tashmë ekzistuese mjekësore ushtarake të vendeve pjesëmarrëse.

Secili nga gjashtë vendet pjesëmarrëse merr përsipër rolin e “Kombit Kornizë” me rotacion dy vjeçar.

Maqedonia e Veriut e mbulon këtë rol për periudhën nga qershori 2020 deri në qershor 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore