Lajme

Kica-Xhelili: Ministrja Haxhiu ose t’i respektojë vendimet e Kushtetueses ose të zhvendoset në një shtet autokratik


Deputetetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, përmes një postimi në rrjetin social Facebook i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e kundërshtoi vendimin e Gjykatë Kushtetues, i cili e shpalli anti-kushtetues Ligjin për Këshillin Prokorurial të Kosovës.

Kica-Xhelili tha se Haxhiu është ministre e një demokracie parlamentare dhe duhet “OSE ta respektoj këtë demokraci, ose të zhvendoset në një shtet autokratik që përkon me ideologjinë e saj”.

“Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se është ministre në një shtet DEMOKRATIK – ku pushtetet janë të ndara dhe nuk mund ta kontrolloj gjyqësorin (fatmirësisht për demokracinë)”, shkroi Kica-Xhelili.

Tutje, ajo potencoi se Haxhiu është ministre e Drejtësisë, dhe “jo ministre e vazhdueshme e fushatës linquese”, ndërsa shtoi se “sundimi i ligjit që ajo e shndërron në mbiemër personal në fushatë, duhet të jetë mbiemër në zbatim kur drejton institucion”.

“Dikush duhet t’ia kujtoj kësaj ministreje se NUK KA TË DREJTË ta komentoj përmbajtjen e vendimeve gjyqësore e aq më pak Gjykatës Kushtetuese kur i rrëzon vendimet e SAJ. As kjo Gjykatë e as kjo demokraci nuk janë krijuar falë Ministres Haxhiu, në fakt MË SË PAKU falë mendësisë që kjo shumicë po shpërfaq”.

“Dhe kur ia kujtoni gjithë këto, ia kujtoni që është Rekomandim i Këshillit të Evropës që kjo ministre NUK GUXON të flas si flet e të veproj si vepron”.

Po ashtu, ajo ia kujtoj paragrafin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës për pavarësinë e gjyqësorit.

“Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të shmangin kritikat që do të minonin pavarësinë ose besimin e publikut në gjyqësor (…) përveç deklarimit të qëllimit të tyre për të apeluar/ankimuar”.

Gjithashtu, ajo tha se “ua rikujtoj juve dhe ndoshta pak vetes, që i gjithë ky (ri)kujtim karshi saj do të jetë potencialisht i kotë”.

“Kam provuar. Ia kam thënë të gjitha. Privatisht e publikisht. Sa herë kam bërë thirrje në këto rekomandime, këto standarde, e këto shtylla demokratike, ajo e ka kthyer në personale. Ajo, ose ata që i shërbejnë asaj. Kaq pres nga ajo. Kaq pres nga ata”.

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte shprehur e zhgënjyer pasi Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si anti-kushtetues Ligjin për KPK-në të hartuar nga MD-ja, ka thënë se “Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një pengesë për reformat në drejtësi”.

“Gjykata Kushtetutës i ka keq lexuar opinionet e Venecias. I është dhënë goditje reformës në drejtësi, por edhe goditje Kosovës. Por, ne nuk do të ndalemi. Goditja më e madhe po i bëhet qytetareve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Ndërsa, Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një njoftimi për media me 24 mars, ka bërë të ditur se e ka shpallur në kundërshtim me Kushtetutën Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

E gjithë kjo ka ardhur pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e partive opozitare, respektivisht ligjvënësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në korrik të vitit të kaluar.

Në këtë njoftim thuhet se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses, tregon se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës”.

Gjithashtu, “paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës”.

Shkeljet vazhdojnë edhe te “paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore