Lajme

Kica-Xhelili, Kurtit: Nëse neni 10 është Asociacioni dhe po e pranoni, atëherë çka u desh neni 7?


Ilustrim/Albanian Post

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet rreth dakordimit që kryeministri Albin Kurti ka arritur në Ohër me presidentin e Serbisë për Planin Evropian, foli për paqartësitë që do të marrin disa dispozita.

Kosovës me nenin shtatë të Planit Evropian i kërkohet që të fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, rreth krijimit të kushteve [arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit [appropriate self-management] për komunitetin serb në Kosovë.

Prandaj, nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, i bie që ai të zbatohet edhe sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, prandaj Kica-Xhelili e pyeti kreun e ekzekutivit pikërisht për këtë çështje.

“Nëse zbatimi i Asociacionit në përputhje me vendimit e Gjykatës Kushtetuese, që e keni në nenin 10 është sot e pranusheme me siguresen e Gjykatës Kushtetutese, çka ju desh neni 7? Ju thatë nuk do të largohemi nga kufizimet e vendosora nga Gjykata Kushtetuese. Asociacionin e kemi atë të 2015. Neni 7 pse?, pyeti Xhelili.

“Neni 7 është i paqartë sepse as ju as një deputet i juaji nuk e di çka është ‘vetëmenaxhimi’. Po flasim për disa koncepte ekonomike, por asnjë dokument politik ndërkombëtar nuk flet për ‘vetëmenaxhim’ në këtë format, në këtë kontekst”, vazhdoi tutje ajo.

Ajo ndër të tjera ka kërkuar qartësi nga kryeministri edhe sa i përket formalizimit të statutit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë kërkoi nga ai që ta dërgoj marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

“Kjo marrëveshje nuk e ka siguresën e Gjykatës Kushtetuese. Sepse kjo marrëveshje do të marr epërsi mbi Gjykatën Kushtetuese. Prandaj kryeministër, marrëveshjet është e vërtetë që janë nënshkruar në emër të qeverive dhe nuk mund të ndryshojnë. Edhe ju po na sillni para aktit të kryer”, u shpreh ajo.

Ndryshe, kryeministri Kurti ishte zotuar që nuk do ta themelonte Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, edhe nëse ai do të themelohej sipas kushteve që do t’i vendoste vetë pala kosovare, duke mos lënë asnjë mundësi për themelimin e një mekanizmi të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore