Kosova

Kica-Xhelili: Do kemi zgjedhje të reja sërish pa e pranuar, derisa të gjeni një simbolik tjetër që zëvendëson pranimin


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica-Xhelili,

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se përveç marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumice Serbe, tani në Kosovë do të ketë sërish zgjedhje të reja në komunat veriore.

Por, që këto zgjedhje nuk do të pranohen haptazi nga kryeministri e presidentja, por do të gjenden mënyra të tjera për ta thënë se “do të ketë rishpallje të zgjedhjeve”.

“Përveç marrëveshje për Asociacionin, tash kemi zgjedhje që mund të rishpallen sërish pa e pranuar që po rishpallen derisa të gjeni një simbolik tjetër që zëvendëson pranimin, krizë të re”, ka thënë Kica-Xhelili në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tutje ka theksuar se zgjedhja e kryetarëve në Veri u mundësuan, por atyre asnjëherë “nuk u ofrua as shtet, as pushtet e as sovranitet”.

Kica-Xhelili, përmendi edhe lëndimet e gazetarëve, policëve e pjesëtareve të NATO-s.

“I zgjodhëm kryetarët me 20 vota, por kurrë siguri nuk u ofruam atyre kryetarëve, as shtet, e as pushtet e aq më pak sovranitet. U lënduan policët tanë, gazetarë, e pjesëtarë të NATO-s e ju thonit shikoni se si po e shtrijmë sovranitetin atje”.

Sipas saj, nuk ka pasur nevojë për një situatë të tillë që të prezantohet Serbia para botës se kush realisht është.

“Sikur u bëmë shkas që bota ta kuptonte se kush janë ata, a menduat se nuk e dinë a? A e harruat 99-tën, vendimin e GJND-së në 2008, shtetet që na njohën, shtetndërtimin pjesë e të cilit ju nuk ishit”.

“Të gjitha u harruan, sot po e marrim vesh të tjerët kush qenka Serbia. Sërish konflikt, dramë, miqtë të humbur nëpër humbjen e Kurtit. U lënduam, u tha miqve sepse jeni naiv, naiv sepse kërkoni qetësi, koordinim, bashkërendim të sotshëm për diçka më të madhe për të ardhmen”.

Ajo tutje shtoi se, “nuk paskemi ditur që paska banda kriminale në Veri, shyqyr që ju patëm ju të na hani sytë sepse ne Veriun e mendonim turrin”.

Deputetja e LDK-së, tutje pushtetit ia kujtoi të gjitha gjërat që kishin thënë se nuk do t’i pranonit, e të cilat më pas dolën se u pranuan nga vetë ata.

“Marrëveshje e pranuar pa e pranuar që e ke pranuar, Asociacion i tejkaluar pa e pranuar që e ke pranuar e lëre më tejkaluar. Shkoi targa e erdhi dorëheqja e serbëve të kontrolluara e një pjesë të frikësuar nga Vuçiçi”.

“Dorëheqja e targave solli zgjedhjet, kushtetushmëria mbi të gjitha thatë e rrjedhimisht zgjedhjet, pastaj thatë qetësia mbi të gjitha, po i shtymë 6 muaj zgjedhjet se kuptuam diçka që nuk dinim nga naivët që dinë më shumë se ne”.

“E dinit se do të vinin në pikë eskalimi e konsiderimi të rishpalljes së zgjedhjeve të njëjta, sepse edhe këtë ua thanë ata naivët që dinin më shumë se ju. Nuk e kishit problem, problem do e kishit ta kuptoni të tjerët se çka synoni ju, ky ishte çmimi juaj të mos e kuptonin të tjerët”.

Protestat e serbëve në Veri të Kosovës të cilët po kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të sapo zgjedhur nga objektet komunale ka hyrë në ditën e gjashtë.

Qindra protestues serbë janë para këtë të premte në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Komunën e Zveçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore