Kosova

KFOR-i i ka kthyer përgjigje Serbisë, por çka thotë Rezoluta 1244, për “kthimin e forcave serbe” në Kosovë?


Ushtar i KFOR-it

Forcat paqeruajtëse të vendosura në Kosovë – KFOR, të premten në mbrëmje i kanë dorëzuar përgjigje Serbisë në kërkesën e tyre për kthimin e 1000 trupave të sigurisë së Serbisë në Kosovë.

“Mund të konfirmojmë se përgjigja është dërguar, kthyer, për ushtrinë serbe”, është thënë nga Zyra për Media e KFOR-it në një përgjigje për Albanian Post.

Përgjigja është dërguar fizikisht në pikën kufitare mes Kosovës e Serbisë në Merdare dhe ajo është pranuar nga ushtria serbe.

Se çfarë përmban kjo përgjigje akoma nuk është bërë e ditur.

Me 16 dhjetor, në vendkalimin kufitarë në Merdarë, KFOR-i pranoi fizikisht një kërkesë të Serbisë për kthimin e deri një mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe në territorin e Kosovës.

Vendimi për këtë kërkesë ishte marrë nga Qeveria e Serbisë.

Për kthimin e trupave serbe në Kosovë, Serbia mbështetet në Rezolutën 12/44 të Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës edhe KFOR-i operon në Kosovë.

Saktësisht, sipas pikës 6 të Rezolutës 12/44, Aneksi II dhe shënimit 2 të KS-së së OKB-së e në bazë të Marrëveshjes së Rambouillet-së.

Por, çka thotë kjo rezolutë për “kthimin e forcave serbe” në Kosovë?

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 12/44 u miratua më 10 qershor 1999 me katërmbëdhjetë vota për dhe asnjë kundër – Kina abstenoi. I gjithë teksti i Rezolutës iu nënshtrua Kapitullit VII të Kartës së OKB-së.

Ndërsa, prezenca ushtarake e themeluar nga “shtetet anëtare dhe të organizatave relevante ndërkombëtare” do t’i koordinonte punët për së afërmi me prezencën civile, por nuk i nënshtrohej kontrollit të Sekretariatit të OKB-së.

E gëzonte mandatin për ta vënë në funksion armëpushimin, t’i parandalonte armiqësitë, të siguronte tërheqjen dhe të parandalonte kthimin e forcave të caktuara.

Autoritetet serbe e pretendojnë rikthimin e personelit serb në Kosovë sipas pikës 6 të Rezolutës 12/44, Aneksi II dhe shënimit 2 të KS-së së OKB-së e në bazë të Marrëveshjes së Rambouillet-së.

Mirëpo, çka thotë Pika 6 e Rezolutës 12/44, Aneksi II, fusnota 2?

Më 9 qershor, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja ushtarako-teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes edhe pse ishte paraparë rikthimi i një prezence të vogël ushtarake RFJ/Serbi në një fazë të mëvonshme, si reflektim i dispozitave të një plani më të detajuar paqeje që ishte pranuar më 1 qershor.

Pas tërheqjes, sipas pikës 6, Aneksi II, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:

– Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

– Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara (është konsumuar si problem);

– Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;

– Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Ndërsa vendimi bie në diskrecionin e Komandantit të KFOR-it.

Kurse, shënimi 2 thotë: “Kthimi i personelit për t’i kryer të katër funksionet e specifikuara më lartë do të bëhet nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe numri i tyre do të jetë i kufizuar (qindra, jo mijëra).

Pra, kthimi i personelit serb, sipas Rezolutës (sëpari nuk specifikohet të jetë ushtarak, pra literalisht saktësohet të jenë qindra, jo mijëra) do të përcaktohet me këtë Marrëveshje.

Tërheqja e plotë serbe nisi atëherë, kurse nisja e zbarkimit të forcave të NATO-s ndodhi të nesërmen.

Megjithatë, përderisa kushtet e kapitullimit të RFJ-së në luftë nuk mund të dihen saktësisht, nuk dihen as kushtet nën të cilat, NATO mund ta lejonte këtë ose jo, duke u nisur mbi faktin se në ndërkohë lindi një shtet i ri.

Kosova është njohur nga 116 kombe të botës, përfshi ShBA-në, Britaninë e Madhe dhe katër shtetet tjera të QUINT-it, si dhe Deklarata e Pavarësisë është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (korrik 2010), plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“GJND-ja konkludon se nuk mund të pranohen argumentet se Rezoluta 12/44 parashikon ndalimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore