Përballje

Këtë të mërkurë fillojnë ndeshjet e Superkupës në basketbollin e Kosovës


Këtë të mërkurë do të fillojë Superkupa e Kosovës për edicionin e ri të basketbollit kosovar, ku do të përballen tetë skuadra.

Federata e Basketbollit të Kosovës, ka vendosur që ky organizim të bëhet në Prishtinë, aty ku priten ndeshje mjaftë interesante nga data 1 deri më 5 shtator.

Ndeshja hapëse e këtij spektakli, do të jetë ajo mes Prizrenit 16 dhe Dritës, duel ky i cili do të fillojë në ora 16:00.

Prizrenasit edicionin e kaluar ishin në vendin e parë në garat e rregullta, kurse gjilanasit janë rikthyer në elitën e basketbollit të Kosovës.

Ndeshja tjetër e ditës së mërkurë pritet të jetë mjaft interesante. Në orën 19:00 do të zhvillohet klasikja mes Pejës dhe Sigal Prishtinës.

Të dy skuadrat kanë bërë disa përforcime, kurse pejanët kanë “blinduar” Dardan Berishën dhe Lis Shoshin, me shpresën se do të kenë një edicion sa më të suksesshëm.

Si Peja, ashtu edhe Prishtina, do të garojnë në Ligën Ballkanike, ndërsa verdhezinjtë edhe në Ligën Unike.

E mërkura do të përfundojë me këto takime, ndërsa të enjten do të ketë edhe dy ndeshje të tjera.

Rahoveci dhe Trepça’89 do të përballen në ora 16:00, kurse Golden Eagle Ylii dhe Bashkimi do të ballafaqohen në ora 19:00.

Pastaj, më 3 shtator do të zhvillohen dy gjysmëfinalet e këtij edicioni në Superkupën e Kosovës.

Të premten në ora 16:00 do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë, ku do të takohen fituesit e çifteve Prizreni 16 – Drita dhe Peja – Sigal Prishtina.

Kurse në ora 19:00 do të takohen fituesi i Rahoveci – Trepça dhe Golden Eagle Ylli – Bashkimi.

Derisa finalja e madhe do të luhet të dielën e 5 shtatorit.

Federata e Basketbollit të Kosovës, ka njoftuar se të gjitha takimet do të zhvillohen pa praninë e shikuesve për shkak të masave anti-COVID.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore