Sport

Këtë të hënë do të bëhet prezantimi i Xavi-t te Barcelona


Xavi Hernandez pritet të prezantohet si trajner i Barcelonës, këtë të hënë rreth orës 13:00, kurse gjysmë ore më vonë ai do ta mbajë konferencën për media para gazetarëve.

Sipas asaj që shkruan gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, prezantimi i Xavi-t pritet të ndiqet nga rreth 25 mijë tifozë të pranishëm ne “Camp Nou”.

Një gjë interesante ndoshta, pasi që trajnerët e futbollit zakonisht nuk priten, ose prezantohen para një mase të tillë tifozësh, por dëshira për ardhjen e Xavi-t është shumë e madhe nga tifozët katalanas.

Pra, ish-trajneri i klubit Al Sadd, do të rikthehet në Barcelonë pas gjashtë vitesh, aty ku kaloi periudhën më të lavdishme si futbollist.

Ai ishte pjesë e skuadrës nga Katari, Al Sadd që nga viti 2015, ku fillimisht ishte si futbollist për katër vite, pastaj mori rolin e trajnerit.

Pas prezantimit të sotshëm, Xavi do të nisë stërvitjet me Barcelonën të martën, por përgatitjet priten të bëhen nga një numër i vogël lojtarësh, për shkak që futbollistët janë të angazhuar në ndeshjet ndërkombëtare.

Kujtojmë që Xavi do të ketë një punë mjaftë të vështirë për të bërë. Barcelona nuk po kalon momente aspak të mira në këtë sezon.

Katalanasit gjenden në vendin e nëntë në tabelë, ku pas 12 ndeshjeve të zhvilluara, kanë grumbulluar vetëm 17 pikë.

Sikur mos të mjaftonin rezultatet e dobëta, “blaugranat” po kanë shumë probleme edhe më dëmtimet e futbollistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore