Lajme

Këshilltari i Kurtit thotë se Haradinaj duhet të jap përgjigje pse nuk ka vdekur në luftë


Në vazhdën e statuseve të çuditshme, Hysamedin Feraj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka prodhuar edhe një të fundit këtë të hënë.

Feraj thotë se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duhet të jap përgjigje se pse nuk vdiq në luftë.

“Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftë por vëllezërit e tij”, shkruan Feraj.

Më pas vazhdon me kërkimin e llogarisë nga Haradinaj se si u bë që “mbas lufte Vuçiç-i e dërgoi natën e me urgjencë Listën serbe që ta bëjë Ramushin kryeministër!”.

Vetë Feraj nuk ka qenë asnjëherë pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas një biografie që gjindet për të në internet, Feraj ia kishte mbathur për në Shqipëri, kur ishte koha e ballafaqimit të shqiptarëve të Kosovës me sistemin represiv dhe kriminal të ish-Jugosllavisë.

Feraj, që përshkrim të punës brenda zyrës së kryeministrit, e ka mbikëqyrjen e implementimit të marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ka vendosur që të merret edhe me grevën e sindikatave të Kosovës.

Hysamedin Feraj

Ai ka provuar të prodhojë njëfarë shakaje duke shkruar se “SBASHK-u vazhdon të na ‘afrojë’ me SHBA-në duke e afruar emrin ‘sindikatë’ me kuptimin që ka në Amerikë”.

Dhe më pas ka ripërsëritur me fjalë të tjera, atë që thotë Kurti se sindikatat janë të kapura nga opozita.

“Tani për tani, lëvizja ‘sindikaliste’ në Kosovë po kërkon dhe po merr mbështetje nga e ashtuquajtura ‘e djathtë’ e Kosovës”.

“Lidhi o kryeministër”

Kritik i ashpër ndaj statusit të Ferajt është treguar Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai ka shkruar se “nuk është hera e parë që këta komisarët politikë nga Tirana, që i ka marrë nën sqetull Albin Kurti, e fëlliqin gojën dhe nuk lënë njëri pa sharë”, duke aluduar kështu në Ferajn dhe në Elvis Hoxhën.

“Ata janë bërë helmi i diskursit publik dhe prandaj reagimet nga Kosova për gjuhën e tyre, janë kaq të ashpra”, shkruan Nitaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore