Shqipëria

Këshillimi Kombëtar, Rama: Pyetësorin e kanë plotësuar mbi 30 mijë qytetarë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e 25 janarit ka bërë me dije se, deri më tani, 3o mijë e 48 qytetarë kanë plotësuar online nismën e tij të kurorëzuar “Këshillimi Kombëtar”.

Në një postim në median sociale Facebook, Rama ka publikuar pyetjen e dhjetë që ka të bëjë me vendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në përfundim, kreu i qeverisë ka bërë thirrje që të tjerë qytetarë t’i bashkohen këtij “kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për shtëpinë tonë Shqipërinë”.

Mund të jetë një imazh i teksti

Nisma e Këshillimit Kombëtar është fjala kyçe për Qeverinë e Shqipërisë në fillimin e vitit 2022, pasi u paralajmërua nga vetë Rama, në fund të 2021-shit.

Nën moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, Rama po fton herë pas here qytetarët që të bëhen pjesë e këtij procesi.

Duke qenë se ai mund të kryhet edhe online, ftesat e tij vijnë në formën e postimeve, duke nxjerrë pyetje të caktuara, të cilat janë pjesë e Këshillimit.

Duhet theksuar fakti se në këtë proces mund të marrë pjesë çdo qytetar adult i vendit, duke dhënë mendime mbi çështje të caktuara.

Gjithsesi, metodologjia e përgjigjeve nuk është ajo e atyre të hapura, për të dhënë mendim, sa ajo e përzgjedhjes konvencionale, mes tri alternativash.

Çdo shtëpi në Shqipëri do të marrë një pyetësor, shumë kanë filluar t’i drejtohen formularit online.

Përpos të tjerave, vetë pyetësori mbetet në kuadër të anonimatit dhe nuk kërkon të dhëna personale. Por, nga i njëjti motor kërkimi, nuk mund të plotësohet më shumë se një herë.

Kjo është edhe mënyra se si është kërkuar të shmangen mendimet e shumëfishta nga një person i vetëm.

Mbi çfarë?

Janë 12 çështjet mbi të cilat qytetarët pyeten për sa i përket Këshillimit Kombëtar dhe jashtë kuadrit të tyre nuk mund të dilet.

Parimisht, shumica e tyre luajnë me dualitetin e çështjeve, duke propozuar një opsion dhe duke pyetur nëse personi është apo jo me të njëjtin mendim me pohimin.

Po ashtu, ka edhe një kuti për ata që nuk duan të gjykojnë mbi një çështje të caktuar.

Ato më interesantet, mbeten disa, në rrafshe të gjerë.

Prej tyre, spikat pyetja nëse kultivimi i kanabisit duhet ose jo të lejohet, me qëllim përdorimin e produktit për qëllime mjekësore. Gjithnjë, në një proces të kontrolluar nga shteti.

Po ashtu, pyetje me rëndësi lidhen edhe me politikën e jashtme të vendit. Fakti nëse Shqipëria duhet ose jo të ndahet nga Maqedonia e Veriut për integrimin evropian apo dobinë e nismës “Open Balkan”, janë pjesë e anketimit publik.

Një pikë interesante është edhe aplikimi i paraqitjes së certifikatës së vaksinimit në hapësira publike të mbyllura.

Shqipëria këtë masë momentalisht e ka vendosur vetëm për administratën shtetërore, supermarketet dhe qendrat tregtare.

Masat ndaj evazionit fiskal, janë po ashtu çështje me rëndësi në pyetësor. Mbi të gjitha, kur një paralajmërim i hapur është bërë nga vetë kryeministri, pas rrjedhjes së të dhënave të pagave për qindra mijëra qytetarë.

Një vend e zë dhe ndotja publike, apo procesi i vetting-ut tek pushteti legjislativ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore