Lajme

Këshilli i Prindërve del në anën e mësimdhënësve: Të paguhen menjëherë


Ilustrim: Klase e zbrazet ne nje shkolle ne Kosove

Këshilli i Prindërve të Kosovës, që në kohën e grevës ka qenë kryesisht në anën e qeverisë së Kosovës që të ndërpritet greva, përkundër se kushtet e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, nuk ishin plotësuar, ka reaguar në mbrojte të arsimtarëve pasi u njoftua nga qeveria se ata nuk do të paguhen për muajin që shkoi.

“Nëse mësimdhënësve nuk iu jepen pagat e muajit shtator, ne prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

“Revoltën e kishim për të hapur çerdhet e shkollat por asnjëherë për t’i poshtëruar mësimdhënësit”, thonë nga Këshilli i Prindërve.

Qeveria po bazohet në dy nene të Ligjit për Greva për ta arsyetuar mos pagesën e mësimdhënësve.

Rrahman Jasharaj dhe Albin Kurti

I pari është neni 18 ku flitet për “efektet e grevës së ligjshme” dhe në pikën 1 të këtij ligji thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, derisa është edhe neni 7, pika 1, ku është përmirësuar neni bazik 18 i ligjit, the ku togfjalëshit “Kontrata e Punës” i shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Juristët e kanë interpretuar në forma të ndryshme këtë ligj. Disa thonë se ka bazë ligjore për të ndaluar pagat e të tjerë deklarojnë se këto dy nene nuk thonë që të ndalet paga dhe mos pagesa është e kundërligjshme.

Në një tjetër reagim të Këshillit të Prindërve, thuhet se “ne kemi avokuar, arsyetuar dhe deklaruar gjithnjë në të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve tanë për përkujdesje, edukim dhe arsimim publik të pamohueshëm nga askush… Por asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqenë dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga”.

Në një pjesë të opinionit publik, ndalja e pagave është interpretuar si tendencë e qeverisë për të frikësuar të pakënaqurit dhe shuar revoltat eventuale nga kjo pakënaqësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore