Këshilli i Evropës: Asociacionin, manastiret dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit – nëse doni anëtarësim këto janë kushtet

Ilustrim

Dreni Himbeqa
28.11.2023 20:53
Loading Icons...

Kosova në shtator të këtij viti u vizitua nga juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert. Vizita e tyre ishte në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Misioni faktmbledhës i tyre disa ditor kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor e përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Disa nga konkluzionet kyçe të kësaj raporti të Këshillit të Evropës sugjerojnë që Qeveria e Kosovës të braktisë kundërshtimin e saj ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke vënë në jetë një mekanizëm të tillë, sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.

Qeveria e Kosovës, sipas këtij raporti, duhet të përmbahet edhe nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës duke u siguruar që forcat e tilla policore të dislokohen në këtë pjesë të territorit të banuar me shumicë serbe vetëm atëherë kur është e nevojshme dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.

Pjesë e Raportit të Këshillit të Evropës

Disa nga konkluzionet e tjera të këtij raporti theksojnë se standardet e kornizës ligjore në Kosovë nuk zbatohen tërësisht në praktikë për shkak të tensioneve me komunitetin serb në Kosovë në përgjithësi dhe në veçanti me Serbinë.

“Këto tensione nuk janë të rëndësishme vetëm për situatën në lidhje me të drejtat e njeriut dhe të pakicave, por gjithashtu ndikojnë në funksionimin e institucioneve demokratike dhe të sistemit gjyqësor”, pohon raporti.

Raporti i Këshillit të Evropës, ndër të tjera, potencon se në Kosovë ende ka probleme me funksionimin e gjykatave të zakonshme dhe tensionet aktuale e bëjnë mjaft të vështirë situatën e gjykatave në Veri

“Përderisa organet politike kohët e fundit kanë treguar më shumë vendosmëri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ato jo gjithmonë e respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit”.

Pjesë e Raportit të Këshillit të Evropës

Qeveria e Kosovës për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë, sipas raportit të KiE-së duhet të respektojë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit, duke u përmbajtur nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor.

Qeveria e Kosovës, sipas këtij raporti, duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duke siguruar zbatimin e duhur të legjislacionit të ri në këtë fushë.

Kosova aplikoi në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 ndërsa Komiteti Ministror ia ka përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, në prill të vitit 2023, që shënon hapin e parë drejtë anëtarësimit.

“Misioni faktmbledhës i KiE-së”, juristët ndërkombëtarë javën tjetër në Kosovë

 

Të fundit

Aktuale