Lajme

“Këshillat” amerikane për ministrat, në fakt ishin “sanksione të buta për Qeverinë”


“Nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte “këshilla” e ambasadorit të SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, kur ishte pyetur nëse shteti që e përfaqëson ua ka refuzuar vizat disa ministrave e kryetarëve të komunave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje që po planifikonin të zhvillonin vizita zyrtare në SHBA.

Por – vizat nuk ishin pengesë për liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit, që të fluturojnë matanë oqeanit.

Nga këndvështrimi i ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lamës, anulimi i vizitave zyrtare të ministrave nga ana e shtetit amerikan, “është një sinjal i qartë diplomatik se ka lëndime të raporteve ndërmjet dy shteteve”.

Lama thotë për Albanian Post se kjo ka të bëjë me qëndrimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sidomos me atë për targat, pasi SHBA-ja disa herë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet afati dhe t’u jepet hapësirë bisedimeve për marrëveshje finale.

Alma Lama

“Po kështu edhe në të shkuarën Kurti ka refuzuar projektet amerikane siç është ai i gazsjellësit, qe ishte me interes gjeostrategjik për Kosovën dhe rajonin. Pra, anulimi i vizitave të ministrave me arsyetimin se duhet të merren me krizën në Kosovë bën të qartë se kjo qeveri ka prodhuar një krizë siç është ajo në veri. Pra mesazhi është i qartë, se kjo qeveri nuk po bashkëpunon më SHBA-në dhe si duket ka një devijim nga marrëveshja në takimin që ka pasur presidentja dhe kryeministri me Sekretarin Blinken”.

Madje, ajo vuri në pah se praktika diplomatike të ngjashme janë të shumta në raportet ndërmjet shteteve, kur raportet lëndohen, derisa tregon se në Kosovë më herët kjo nuk ka ndodhur, “me përjashtim të masave që ka marrë NATO duke e hequr Kosovën nga disa programe, pasi vendosi të bënte ushtrinë në mënyrë të njëanshme”.

“Mendoj se qeveria Kurti duhet të marrë seriozisht këto ndëshkime pasi mbështetja amerikane është e domosdoshme për Kosovën për të gjitha proceset. Nga ana tjetër, administrata Biden ka në programin e saj shpallje ‘non grata’ të gjithë atyre që kërcënojnë paqen e stabilitetin në rajon si dhe të zyrtarëve të korruptuar”, theksoi Lama.

Për Lamën që një kohë ishte edhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, liderët e opozitës po shihen si bashkëpunues nga amerikanët, derisa beson që në SHBA kanë shkuar për të krijuar unitetin e brendshëm politik në Kosovë në lidhje me një marrëveshje të mundshëm.

Kurti thotë se raportet me SHBA-të nuk janë si me “nipin e gjyshin”

Me gjithë kritikat nga oponentët politikë për moskoordinim me SHBA-në për çështjen e targave, Kurti është i sigurt se marrëdhëniet e Kosovës SHBA-të, “vazhdojnë të jenë tejet të mira”.

“Nuk ndodhin këto gjëra, e kuptoni nuk kemi ne kështu raporte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç i përshkruani ju sikurse gjyshi me nipin. Unë nuk e di kush po jua lexon sepse s’besoj që po i lexoni vetë e po mendoni kështu”, pati thënë Kurti më 7 nëntor në një adresim para mediave.

Ndryshe, nga Kurti, ish përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Selinë e Shenjtë, Anton Berisha, konsideron që kryqeveritari karrierën politike e ka ndërtuar në kundërshtimin e ndërkombëtarëve, duke krijuar një kauzë të rrejshme “se ne sundohemi nga ata dhe ka për thjeshtësuar çështjen ne përshkrimin në të zezën”.

“Tash, faji nuk është i Albin Kurtit, si një majtist ekstrem ne kundërshtimin e perëndimit, por i masës popullore, e cila ka përfituar me shumë se asnjë komb në Evropë nga ndërhyrja SHBA-BE, qoftë luftarikisht, ekonomikisht dhe në ndërtimin e principeve të një shteti e shoqërie demokratike dhe ka votuar masivisht një mohues dhe mosmirënjohës te këtyre kontributeve”, thotë Berisha për AP.

Anton Berisha

“Natyrisht, SHBA nuk mundet pafundësisht t’i durojë teket e politikaneve te papërgjegjshëm kosovare, dhe kohë pas kohe në këto dy dekada kanë marrë masa konkrete limituese ndaj tyre”.

Ai mendon se rasti i tanishëm është sanksionim se nuk mund të jesh selektiv në çështjet e bashkëpunimit, por shpjegon se “janë principe të normuara që përbejnë bazën e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe shumëpalëshe”.

Lajmet që qarkulluan në disa media kosovare se ia refuzuan vizën SHBA-ja, i kishe quajtur të pavërteta, ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Kemi konsideruar se duhet ta shtyjmë për një datë më të përshtatshme vizitën”, pati thënë Haxhiu.

Për Dritëro Arifin, njohës i situatës politike dhe ligjërues universitar mos shkuarja në SHBA, “në njëfarë mënyre flet për sanksione të buta apo të mençura”

“Qeveria amerikane i ka dërguar sinjal të fuqishëm asaj kosovare që për momentin ka një mospajtim sa i përket politikës të cilën e zbaton Qeveria e Kosovës në raport me targat, por jo vetëm me targat, por në raport me dialogun në mënyrë se si po sillet”, potencon Arifi për AP.

“Qëndrimi amerikan është i qartë që këto janë sanksione të buta dhe të mençura”, sqaron ai.

Dritëro Arifi

Për mos udhëtimin e ministrave kosovarë në Amerikë është prononcuar edhe ambasadori i SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.

Ai ishte i matur në konstatime, por deklaroi se “besojmë se kjo Qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë dhe kështu, kjo nuk është domosdoshmërisht koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA për takime zyrtare, marrë parasysh krizat që duhet të trajtohen këtu. Këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në Qeveri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore