Kosova

Kërkohet unitet politik për zbatimin e MSA-së


Takimi i mbajtur për konstituimin e Komisionit të përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë

Kryetari i Kuvenidit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ishte pjesëmarrës në konstituimin e Komisionit të përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim në mes të Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës, ka kërkuar unitet politik për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociim-it (MSA).

Konjufca, gjithashtu ka kërkuar dinamik të re për zbatimin e MSA-së, pasi sipas tij procesi në fjalë deri më tash ka qenë mjaftë i ngadalshëm.

Ai gjithashtu ka theksuar se Kosova duhet të bëjë hapa sa më të shpejtë drejtë integrimit evropian duke shtuar se ai pret bashkëpunimi ndërmjet partive politike pasi që sipas tij ky “proces nuk është një garë politike”.

“Implementimi i këtij procesi nuk është i njëanshëm, por është një ndër proceset më të rëndësishme që ne realizojmë bashkë me Bashkimin Evropian. Mund të konkludojmë që deri më tash zbatimi ka qenë mjaft i ngadalshëm dha ka nevojë për shpejtësi”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa Kryetarja e këtij komisioni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë të ditur se komisionin në fjalë e përbëjnë 13 deputet, dhe se takimi i parë pritet të mbahet gjatë muajit tetor të këtij viti.

Në anën tjetër Nënkryetari i këtij komisioni, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, ka theksuar se konstituimi i këtij komisioni ka qenë i vonuar por sipas tij komisioni “do të shtyjë punët përpara” .

Edhe Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka vënë theksin në vonesën e konstituimit të këtij komisioni duke shtuar se shtyrja e mëtutjeshme e konstituimit rrjedhimisht do ta zgjaste edhe procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ndërsa, Deputetit i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, duke theksuar rëndësinë e këtij komisioni ka kërkuar bashkëpunim dhe seriozitet në mes të partive politike, pasi sipas tij komisioni në fjalë duhet të jetë funksional.

Marrëveshja e Stabilizim – Asocimit (MSA) është një praktikë e Bashkimit Evropian (BE), e cila ofrohet për ato shteteve të cilat angazhohen për tu anëtarësuar ne BE.

Përmes MSA-së BE-ja, parashtron kërkesa për të gjithë shtetet kandidate dhe cakton afate të caktuara për ti përmbushur ato.

Kosova, marrëveshjen në fjalë e ka nënshkruar me 27 tetor të vitit 2015.

MSA, ështe marrëveshja e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore