Shqipëria

Kërkohet strategji e përbashkët kundër përpjekjeve të Serbisë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetari i GP të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla

Strategji të përbashkët kundër përpjekjeve të Serbisë për ta sfiduar Kosovën në mekanizmat parlamentarë evropianë, është kërkuar në takimin e së martës mes Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla i cili shoqërohej nga deputetët Anila Denaj, Arben Pëllumbi, Gerta Duraku, Benet Beci, Alqi Bllako dhe ambasadori Qemal Minxhozi me bashkëpunëtorët e tij.

Jemi një komb andaj kemi nevojë të jemi shumë më afër njëri-tjetrit për t`i përballuar sfidat që kemi përpara në raport me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimet evropiane, ka deklaruar kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në këtë takim është diskutuar edhe për konkretizimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, ekonomik, kulturor, arsimor, si dhe domosdonë e thellimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Kryetari Konjufca ka falënderuar Shqipërinë për kontributin e madh për Kosovën duke theksuar se do të punojnë të dy vendet në intensifikimin e raporteve ndërparlamentare.

Nga ana e tij kryetari i GP të PS-së, Taulant Balla, premtoi bashkëpunim konkret në të gjitha nivelet, duke u shprehur se Shqipëria do të pozicionohet gjithherë në interes të faktorit shqiptar.

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë duhet t’i shërbejnë heqjes së të gjitha barrierave eventuale burokratike, unifikimit të qëndrimeve karshi nismave rajonale dhe bashkërendimit të hapave në rrugëtimet integruese u tha nga bashkëbiseduesit, ku ranë dakord që të zhvillojnë takime më të shpeshta në mënyrë që t`i shërbejë forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore