Shqipëria

‘Kërdia’ e përjashtimeve të deputetëve demokratë


Përjashtim. Shkelje etike. Zaptim foltoreje.

Këto kanë qenë frazat më të dëgjuara në seancat e fundit plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Në 25 ditët e fundit, nga seancat plenare janë përjashtuar 18 deputetë demokratë. Kjo, me kërkesë të socialistëve pasi sipas tyre është shkelur etika plenare.

Të parët në nisjen e valës së përjashtimeve ishin kryedemokrati Sali Berisha dhe katër deputetët Edi Paloka, Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi.

Përjashtimi i tyre erdhi pasi ata bllokuan foltoren dhe punimet e Kuvendit.

Dhe dy seanca më pas, saga vazhdoi. Kësaj here, u rrit edhe numri i të përjashtuarve. Bëhej fjalë për tetë deputetë demokratë:  Luçiano Boçin, Albana Vokshin, Ervin Salianjin, Ina Zhupën, Luan Baçin, Tritan Shehun, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbatin.

Akuza mbetej e njëjtë me paraardhësit duke shtuar edhe një tjetër: penguan zhvillimet në Kuvend dhe ofenduan kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Kështu, numri i të përjashtuarve kapi shifrën 12. Për të mos e lënë me kaq, një javë më parë Berishës, Nokës, Këlliçit dhe Palokës iu konfirmua sërish përjashtimi.

Të martën e 21 shkurtit, gati gjysma e deputetëve demokratë mbeti jashtë Kuvendit. Përjashtimi u vendos edhe për gjashtë të tjerë.

Bëhet fjalë për deputetët Elda Hoti, Sorina Koti, Lindita Metaliaj, Greta Bardeli, Edmond Spaho dhe Oerd Bylykbashi.

Arsyet e përjashtimit janë të ndryshme, ashtu si edhe ditët e përjashtimit.

Më e “veçanta” është për Spahon. Kjo, pasi në shenjë proteste për mospranimin e kërkesave të opozitës mbi formimin e një komisioni hetimor për McGonigal, ai i ra bilbilit për disa orë me radhë.

Gjithë kjo zallamahi e përjashtimeve erdhi nga çështja McGonigal.

Më 27 janar, para se seanca të niste, 16 deputetë nga grupi i Berishës kërkuan që të ndryshohet rendi i ditës dhe të futej në diskutim takimi i kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI-së, në praninë e Agron Nezës, person i cili akuzohet se i ka dhënë McGonigal 225 mijë euro dhe nuk i ka deklaruar.

Por kërkesa u rrëzua nga votat e mazhorancës.

Pas kësaj, deputetët e Berishës krijuan kaos duke përplasur duart mbi tavolinë teksa ish-kryeministri nuk pranoi të largohej nga foltorja pavarësisht paralajmërimit.

Pas kësaj, opozita ka shtrirë aksionin jashtë dyerve të parlamentit. Së bashku me aleatin politik, Ilir Metën kanë zhvilluar protestë kombëtare. Ndërsa, në dy seanca radhazi ata kanë protestuar jashtë dyerve të Parlamentit.

Kauza mbetet një: Rrëzimi i kryeministrit Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore