Lajme

Kërcënimi nga Irani, Izraeli mori pjesë në një takim sekret me shtetet arabe


Izraeli ka marrë pjesë në një takim sekret – të iniciuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – me zyrtarë të lartë ushtarakë nga e gjithë Lindja e Mesme në Egjipt.

Takimi u zhvillua në mars me qëllim diskutimin e luftës kundër kërcënimit të përbashkët të aftësive raketore dhe dronëve të Iranit.

Lajmi u raportua nga prestigjiozja “Wall Street Journal”.

Bisedimet, të mbajtura në Sharm El Sheikh, përfshinin oficerë të lartë ushtarakë nga Izraeli, Egjipti, Jordania dhe dy vende me të cilat Izraeli nuk ka marrëdhënie: Arabinë Saudite dhe Katarin.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini dërguan gjithashtu oficerë në takim, thuhet në raport, dhe gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore, përfaqësonte SHBA-të.

Në raportin e “Wall Street Journal” shkruhej se ishte hera e parë që një varg i tillë oficerësh të lartë arabë dhe izraelitë u mblodhën nga SHBA-të për të folur për një kërcënim të përbashkët.

Sipas raportit, kjo u mundësua nga një sërë ndryshimesh rajonale: frika nga Irani, forcimi i lidhjeve sipas Marrëveshjeve të Abrahamit, si dhe dëshira e shteteve arabe për të blerë armë dhe teknologji të mbrojtjes izraelite.

Sulmet e fundit nga Irani dhe përfaqësuesit e tij kundër infrastrukturës saudite dhe objektivave të tjera në Lindjen e Mesme kanë shtyrë koalicionin e Izraelit dhe një numër vendesh arabe në rajon të zhvillojnë një mekanizëm të përbashkët për zbulimin dhe kapjen e raketave dhe mjeteve ajrore pa pilot.

Tashmë ka pasur një koordinim të sigurisë për këtë çështje midis strukturave të mbrojtjes izraelite dhe kolegëve të tij në disa prej këtyre vendeve.

Ky bashkëpunim përfshin koordinimin operacional, shkëmbimin e inteligjencës përkatëse për kërcënimet, vizitat e delegacioneve dhe trajnimin e përbashkët midis forcave ajrore izraelite dhe atyre të huaja.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, u tha ligjvënësve javën e kaluar se ajo që ai e quajti “Aleanca e Mbrojtjes Ajrore të Lindjes së Mesme” është tashmë funksionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore