Lajme

Keqmenaxhoi drejtimin e Hong Kong-ut, Carrie Lam nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme


Udhëheqësja e Hong Kong-ut, Carrie Lam, ka njoftuar se uk do të kandidojë për një mandat të dytë në detyrë.

Ky vendim erdhi pas një mandati të diskutueshëm, që ka parë gërryerjen e shumë lirive civile të territorit.

Si shefe ekzekutive, Lam mbikëqyri një periudhë të trazuar: protestat masive pro-demokracisë çuan në një kontroll më të madh kinez në Hong Kong.

Lam, 64 vjeçe, e mori detyrën e saj në vitin 2017 dhe të hënën, u tha gazetarëve se Pekini ishte i hapur ndaj vendimit të saj.

Gjithashtu ajo zbuloi se kishte informuar Kinën për dëshirën e saj për të mos kërkuar një mandat të dytë një vit më parë, pavarësisht se kohët e fundit refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me të ardhmen e saj politike.

Sakaq, Lam tha se po tërhiqej, për t’i dhënë përparësi familjes së saj.

“Ka vetëm një konsideratë dhe kjo është familja. Ata mendojnë se është koha që unë të shkoj në shtëpi”, tha ajo.

Kryesekretari i Hong Kong-ut, John Lee, mendohet të jetë zëvendësuesi i favorizuar i Lam-it.

Si zgjidhen drejtuesit?

Drejtuesit e qytetit zgjidhen nga një komitet prej 1 mijë e 500 anëtarësh, të cilët janë pothuajse të gjithë besnikë pro Pekinit. Ata do të zgjedhin shefin e ri ekzekutiv muajin e ardhshëm.

Mediat lokale raportuan se Lee, zyrtari i dytë më i lartë, do të paraqiste kandidaturën e tij për postin drejtues këtë javë.

Lee, një ish-oficer policie, ishte gjithashtu zyrtar kryesor i sigurisë gjatë protestave të vitit 2019. Ai u ngrit në radhët e lidershipit vitin e kaluar, në një shenjë, thanë analistët, të synimit të Pekinit për t’u fokusuar në sigurinë në Hong Kong.

Kush është Carrie Lam?

Një burokrate me dekada përvojë, Lam ishte liderja e parë femër e Hong Kong-ut, e cila shpejt u bë një nga udhëheqëset më përçarëse të qytetit.

Protestat masive të vitit 2019 çuan në vendosjen e një sërë politikash nga Kina për të “rivendosur sigurinë” dhe për të forcuar kontrollin mbi Hong Kong-un dhe banorët e tij, duke përfshirë një ligj të madh të sigurisë kombëtare që kriminalizon shumicën e formave të protestës politike dhe mospajtimit, dhe reduktoi autonominë e qytetit.

Ndërkohë Lam kishte promovuar ligjin e kritikuar gjerësisht, duke thënë se nuk ishte i gjithi “dënim dhe errësirë”, krahasuar me ligjet e tjera të sigurisë kombëtare, ishte “mjaft i butë”.

Megjithatë, që nga miratimi i tij në vitin 2020, Hong Kong-u ka parë një sërë aktivistësh të demokracisë, ish-ligjvënës dhe figura mediatike të arrestuar dhe burgosur. Shumë të tjerë kanë ikur jashtë vendit.

Por, Lam u përball dhe me pandeminë. Ajo siguroi që Hong Kong-u të pasqyronte kontinentin në përgjigjen e tij pandemike – mbylljen e kufijve dhe zbatimin e karantinës disajavore për udhëtarët në një përpjekje për të eliminuar virusin në vend që të jetojnë me të.

Por një valë Omicron shpërtheu muajin e kaluar, duke mposhtur sistemin e kujdesit shëndetësor të qytetit dhe duke shkaktuar qindra vdekje në ditë në qytetin me 7 milionë banorë. Hong Kong-u tani ka hequr disa kufizime pasi është larguar nga kulmi i valës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore