Sport

Këlcyra, aty ku pasioni vlen mbi gjithçka


Klubi i Këlcyrës është themeluar në 1981. Që nga ajo kohë vazhdon të jetë prezent në futbollin shqiptar. Edhe pse pa shumë histori në nivelet e larta të futbollit shqiptar, ka diçka që e diferencon edhe këtë klub.

Kushtet financiare sigurisht që nuk janë në nivele të larta, por kjo nuk ka çuar në braktisjen e klubit, sidomos nga lojtarët vendas. Pasioni që kanë për futbollin ka bërë që të sakrifikojnë, madje duke bërë edhe nga dy punë, por vetëm ekipin nuk e “lënë në baltë”.

Fillimisht Këlcyra mbante emrin Ulërima dhe më vonë do të merrte emrin që ka sot. Në përbërje asokohe kishte lojtarë vendas dhe lojtarë nga qytetet e tjera të Shqipërisë, të cilët zakonisht ishin të vendosur në Këlcyrë për të kryer shërbimin ushtarak.

Klubi ka qenë pjesëmarrës i rregullt në Kategorinë e Dytë dhe të Tretë të Shqipërisë. Pothuajse gjithmonë ka luftuar për mbijetesë, në kategoritë përkatëse. Por, pas vitit 2004 ka luajtur rregullisht në Kategorinë e Dytë.

Pas vitit 2011, Bashkia Këlcyrë financon me një buxhet modest klubin, duke qenë se është dhe bashki e vogël.

Për Albanian Post (AP), Saimir Kule, ish-kapiteni i Këlcyrës, ka folur rreth gjendjes së infrastrukturës dhe vështirësive që has klubi në aspektin ekonomik.

“Vitet e fundit është ndërhyrë për të rregulluar pjesërisht dhomat e zhveshjeve dhe ambientin brenda fushës. Gjithashtu është bërë dhe rrethimi i fushës, sipas kushteve të FSHF-së. Edhe tribuna ballore është rregulluar dhe ka një kapacitet prej 500 vendesh”.

Kule tregon për AP se, për shkak të mungesës së financimeve, edhe një tribunë e vogël që ishte menduar të ndërtohej, u la përgjysmë.

Ish-kapiteni foli dhe për një nga problematikat që përballen ekipet e kategorive të ulëta pothuajse çdo vit në dimër. Problemet në ditët me shi, që i nxjerrin fushat “jashtë loje”.

“Duke qenë se fusha është me bar natyral, kemi shumë probleme në ditët me shi, plus që në atë fushë zhvillojmë edhe seancat stërvitore”.

Kuptohet që sistemi i drenazhimit kushton, por dhe investimi në fusha të reja, qofshin për lojë apo për stërvitje gjithashtu ka një kosto më të lartë nga ajo që mund të përballojë klubi apo më saktë Bashkia e Këlcyrës.

“Të gjitha shpenzimet financiare mbulohen nga bashkia me anë të një buxheti vjetor që ka kjo e fundit për sportin dhe kulturën, që këtë vit shkonte diku te 25 milionë lekë (të vjetër)”.

Kule foli edhe sesa ka ndikuar Pandemia në garantimin e pagave të ekipit.

“Por, të paktën Covid-19 nuk ka ndikuar nga ana financiare, pasi pagat e ekipit janë të garantuara nga bashkia”, përfundoi Kule.

Pikërisht buxheti i vogël në shfrytëzim dhe mbijetesa me këtë buxhet tregon se këta njerëz nuk janë thjeshtë lojtarë, por janë shpirti i sakrificës dhe pasionit, që mbi të gjitha kanë vendosur të zhvillojnë dhe të çojnë përpara emrin e një ekipi dhe të një qyteti.

Me një llogari të thjeshtë, ylli i Juventus-it, Cristiano Ronaldo, merr në ditë rreth 82 mijë euro, gati 10 milionë lekë, ndërsa një klub i gjithi nuk kalon 2 milionë e gjysmë lekë në vit.

Kjo është dhe një nga arsyet se pse futbolli në Shqipëri nuk mund të zhvillohet në përmasa gjigante dhe jo më pak të fitojë famë ndërkombëtare. Mungesa e financimit nuk sjell zhvillim dhe aq më pak të sjellë vetëfinancime.

Ky është realiteti i futbollit shqiptar, por gjithashtu kjo tregon se paraja është e pavlerë para pasionit, ndonëse sot paraja përkufizohet shpeshherë si gjithçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore