Kosova

KEDS-i për vjedhjen e rrymës nga 164 konsumatorë: Ekipet do t’i parashtrojnë për procedura gjyqësore


Ilustrim.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), ka reaguar ndaj 164 konsumatorëve të cilët kanë vjedhur energjinë elektrike vetëm për një javë.

Kjo kompani përmes një komunikate për media ka thënë se gjatë javës së kaluar në të gjitha distriktet dhe nën distriktet janë kryer 1 mijë e 976 kontrolla ndaj konsumatorëve, ku 164 prej tyre janë vërtetuar se po e anashkalonin matjen e saktë të energjisë elektrike.

“Vetëm gjatë javës së kaluar në të gjitha distriktet dhe nën distriktet janë kryer 1976 kontrolle të konsumatorëve të energjisë elektrike, për të cilët dyshohej se po keqpërdorin rrymën. Prej tyre 164 u vërtetua se po e anashkalonin matjen e saktë të energjisë elektrike”.

“Keqpërdorimi i energjisë elektrike është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Rastet e tilla, ekipet e KEDS-it do t’i parashtrojnë për procedura të mëtutjeshme gjyqësore”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Ministria e Ekonomisë, të martën e 29 nëntorit kishte njoftuar se vetëm gjatë kësaj jave kishin ndodhur 164 keqpërdorime me energjinë elektrike.

Foto: Ministria e Ekonomisë.

Ky dikaster më herët kishte thënë se humbjet komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm në vitin 2021 arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë një muaj për t’i mbuluar ato.

Ministria e Ekonomisë më herët kishte thënë se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike në vitin 2021 ka qenë 110 milionë euro, ndërkaq këtë vit parashihet që të arrijë në vlerën prej 99 milionë eurosh.

Me 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, ka marr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh”.

Tutje, ZRRE ka sqaruar edhe tarifat për shpenzimin e energjisë elektrike mbi 800 kWh.

“Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se rreth 20 për qind e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore