Lajme

KE vë në pikëpyetje mbylljen e kufijve të Gjermanisë


Komisioni Evropian (KE) ka ngritur dyshimet në lidhje me proporcionalitetin e kontrolleve kufitare në Gjermani. Këto kontrolle janë ndërmarrë për t`iu kundërpërgjigjur rrezikut të përhapjes së varianteve të reja të coronavirus-it.

Brukseli ka deklaruar se masat e kontrollit kufitar të marra nga Gjermania për të luftuar përhapjen e coronavirus-it, në muajin shkurt janë joproporcionale dhe të pajustifikueshme.

Më 14 shkurt, Gjermania ka vendosur disa pika kontrolli në kufi me shtetin austriak të Tirolit, Republikën Çeke. Po ashtu janë vendosur disa pika kontrolli në kufi me Sllovakinë. Kufizimet u vendosën fillimisht për një periudhë 10 ditore. Berlini zyrtar i justifikoi masat e marra duke përmendur rreziqet e përhapjes së varianteve të reja të COVID-19 në vendet fqinje.

Brukseli nuk pajtohet me Berlinin

KE-ja shkroi se besonte se disa “masa më të lehta” mund të kishin arritur mbronin shëndetin publik në Gjermani.

“Besojmë se objektivi i ndjekur nga Gjermania për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë pandemisë mund të arrihej me më pak masa kufizuese”, i shkruante Organi Ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) ambasadorit gjerman, Michael Clauss.

Kjo letër mbante datën e 23 shkurtit. Ajo u bë e ditur nga Agjencia Gjermane e Shtypit (DPA). Letra kritikonte gjithashtu rregullat e hyrjes në Gjermani gjatë kalimit të kufirit. Këto rregulla nuk bënin asnjë përjashtim për familjet ndërkufitare, për anëtarët e qeverive të huaja apo për Parlamentin Evropian.

Policia kthen mijëra qytetarë në kufi

Më 14 shkurt, Republika Çeke, Sllovakia dhe Rajoni i Tirolit në Austri i janë shtuar listës së shtetit gjerman pë r “zonat e prekura nga variantet e reja të COVID-19”.

Ky akt ndalon  shumicën dërrmuese të njerëzve të njerëzve të hyjnë në Gjermani në pikat e lartpërmendura kufitare.

Gjermania po kufizon aktualisht hyrjen e qytetarëve dhe banorëve, shoferëve të kamionëve, punonjësve shëndetësorë dhe disa kategorive të tjera që vijnë nga këto shtete. Duke përfshirë udhëtarë ndërkufitarë që punojnë në “sektorë të rëndësishëm”. Të gjithë qytetarëve apo banorëve i kërkohet një test negativ i COVID-19. Policia kufitare gjermane ka kthyer mijëra njerëz që pas fillimit të kontrolleve.

Fqinjët kritikojnë Gjermaninë

Vendimi  i Gjermanisë ka nxitur kritika tek shtetet fqinje në kufi me gjermaninë. Kritikat nuk vijnë vetëm si pasojë e mungesës së paralajmërimit për marrjen e këtyre masave.

Më 23 shkurt, Ministri i Gjermanisë për Evropën, Michael Roth, hodhi poshtë kritikat ndaj vendimit të Berlinit. Ai tha se veprimet e qeverisë gjermane janë “në përputhje me  Schengen-in”.

Një zëdhënës i qeverisë shtoi gjithashtu se Berlini kishte vepruar në përputhje me ligjin e BE-së dhe se Gjermania synon të rihapë plotësisht kufijtë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Komisioni Evropian dhe kontrollet kufitare 

KE-ja ka dërguar më parë disa letra të ngjashme në Belgjikë, Hungari, Danimarkë, Suedi dhe Finlandë. Kufizimet kufitare të këtyre shteteve kanë hasur mosmiratimin e Brukselit.

Me kërkesë të KE-së, ministrat e vendeve anëtare për çështjet evropiane zhvilluan një konferencë, më 23 shkurt, për të diskutuar për kontrollet kufitare dhe masat e tjera për të kontrolluar përhapjen e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore