Lajme

KE: Mbretëria e Bashkuar e nxituar në vaksinim


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar (MB) se kjo e fundit ka ulur standardin për “sigurinë dhe efikasitetin” e vaksinave.

“Disa vende e filluan procesin e vaksinimit pak para Evropës, është e vërtetë. Ndryshimi qëndron se ne nuk iu drejtuam zgjidhjeve të shpejta dhe jo të verifikuara”, u shpreh ajo për mediat evropiane.

“Komisioni dhe vendet anëtare ranë dakord të mos bënin kompromis me kërkesat e sigurisë dhe efikasitetin një vaksine”, shtoi von der Leyen.

Agjencia Rregullatore e Medikamenteve të MB-së (MHRA) dha dritën jeshile për vaksinat nga Pfizer & BioNTech në 2 dhjetor dhe AstraZeneca në 30 dhjetor.

Megjithatë, 27 qeveritë e BE-së vendosën të kërkojnë së bashku autorizim, përmes Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA), e cila nuk ishte në gjendje të merrte opsionin e ‘shpejtë’.

Komisioni është kritikuar për mungesë të furnizimeve me vaksinave. Vetëm 2.84% të popullsisë së rritur të BE-së kanë marrë dozën e parë të vaksinimit.

BE-ja gjithashtu ka qenë e përfshirë në polemika me kompanitë farmaceutike për shkak të vonesave.

Komisioni ka ngritur dyshime se mungesa e vaksinave ishte për shkak të dozave që transportoheshin në MB.

Javën e kaluar, BE-ja prezantoi një skemë të autorizimit të eksportit, për të detyruar furnizuesit e vaksinave të kërkojnë miratim për lëvizjen e dozave jashtë unionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore