Sport

KE i FFK: Shprehim gatishmëri të bashkëpunojmë me UEFA-n, FIFA-n dhe institucionet e Kosovës


Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës mbajti sot mbledhje nën drejtimin e nënkryetarit Bakir Burri, pasi kryetari i FFK-së është në arrest shtëpiak momentalisht.

KE i FFK-së ka shprehur gatishmëri të plotë që përvec në organet e hetuesisë, t’i adresojnë edhe në Komisionin Disiplinor dhe të Etikës së FFK-së.

Ata shprehën shqetësim në lidhje me veprimet që kanë ndodhur në zyret e FFK-së ndaj Kombëtares së Kosovës.

“KE shpreh shqetësimin në lidhje me të gjitha veprimet që kanë ndodhur me datë 21 mars, në zyret e FFK-së dhe ndaj stafit të Kombëtares në hotelin ku është i akomoduar, nga disa policë civilë, të cilët kanë ndërhyrë pa u prezantuar fare dhe pa asnjë dokumentacion, gjë e cila dëshmohet edhe në komunikatën e policisë, sepse nuk ka pasur asnjë shkresë zyrtare deri më datën 22 mars 2023. Këto veprime pa bazë ligjore, KE do t’i adresojë pranë organeve përkatëse të Kosovës”.

Gjithashtu, KE i FFK-së vendosi që t’i informojë institucionet më të larta ku bëjnë pjesë, UEFA dhe FIFA dhe t’ua paraqesë një raport të detajuar mbi zhvillimet e fundit.

KE po ashtu shprehet gatishmëri për të bashkëpunuar me çdo institucion të Kosovës, të UEFA-s dhe FIFA-s për adresimin e të gjitha çështjeve dhe parregullsive potenciale.

Kujtojmë se Kryetarit të FFK-së i është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorit të Shtetit.

Ka dyshim të bazuar se Agim Ademi i ka kryer veprat “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie e tatimit”, ndërsa policia kishte njoftuar se Ademi ngarkohet edhe me dyshimin për keqpërdorim të buxhetit të FFK-së.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore