Sport

Cilën do Tuchel-i, Real-in apo Liverpool-in?


Përkundër humbjes, Chelsea mbrëmë arriti gjysmëfinalen e Champions League-s, pasi mposhti Porto-n me rezultat të përgjithshëm 2-1.

Kjo është hera e parë që nga viti 2013/’14 që londinezët do të paraqiten në një gjysmëfinale Champions-i.

Trajneri i Chelsea-s, Thomas Tuchel, e konsideron një arritje të mrekullueshme këtë.

Ai premtoi që do të jenë në nivelin e tyre më të mirë për ndeshjet gjysmëfinale.

“Do të bëhemi një skuadër e fortë”, tha ai.

“Nuk mund të shënonim më një gol, por ia arritëm të kualifikohemi. Ajo është gjëja më e rëndësishme”.

Chelsea ishte në vendin e nëntë në Premier League, kur Tuchel u emërua në vend të Lampard-it.

Gjermani ka arritur që të drejtojë skuadrën në luftë për ‘top 4’, në gjysmëfinalet e Champions-it dhe në atë të FA Cup, që e zhvillojnë të shtunën.

Tuchel arriti finalen e Champions-it me PSG-në vitin e kaluar, por u mposht nga Bayern-i në finale.

Chelsea në gjysmëfinale do të luajë me fituesin e ndeshjes së 14 prillit, Liverpool – Real Madrid.

Por, cilën do ta preferonte Tuchel në gjysmëfinale?

“Në përgjithësi, nuk më pëlqen të luaj në Evropë me një skuadër nga e njëjta ligë, por nuk e kam problem”.

“Ndeshja e Liverpool-it është shumë larg përfundimit, përkundër fitores 3-1 të Madrid-it, por unë do ta shikoj atë”, tha Tuchel.

Chelsea tashmë ka arritur tetë gjysmëfinale të Champions-it, më shumë se çdo skuadër tjetër në këtë kompeticion që nga riformimi i formatit në vitin 1992.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore