Lajme

KDI: Qeveria t’i informojë qytetarët për dialogun, po krijon hapësirë për dezinformim


KDI

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes një komunikate për media, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës më shumë transparencë lidhur me takimet të shumta që janë mbajtur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian dhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Diskutimet mbi përmbajtjen e propozimit Franko-Gjerman/Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi Asociacionin janë temat kryesore në debatet mediale, ndërkohë që mungon një debat i strukturuar politik e shoqëror dhe një mostransparencë e theksuar e Qeverisë mbi qëndrimet e saj në raport me këto propozime”, thonë nga KDI.

Meqenëse procesi nuk përfshinë askënd përveç liderëve aktualë, Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç’in, sipas KDI-së, ky proces çdo ditë e më tepër po krijon hapësirë për keqinformim dhe po minon besimin tek qytetarët.

“Duke qenë i mbyllur dhe i reduktuar, ky proces çdo ditë e më tepër po krijon hapësirë për dezinformim, pasiguri dhe ulje të besimit të publikut. Informacionet selektive dhe deklaratat e kufizuara të emisarëve ndërkombëtarë mbeten burimet e vetme të informacioneve, ndërkohë që Qeveria po shmang adresimet për publikun”, është thënë në komunikatë.

KDI kërkoi nga kryeministri Kurti që të rapotojë në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut dhe ka bërë thirrje që edhe partitë opozitare në Kosovë të kërkojnë llogari nga ekzekutivi për zhvillimin e procesit të ndërmjetësuar nga BE-ja përmes mekanizmave kushtetues.

“Prandaj Qeveria si mandatare për të udhëhequr dialogun me Serbinë duhet të jetë e hapur dhe ta informojë publikun lidhur me qëndrimet e saj dhe të priturat nga ky proces. Kjo duhet të përfshijë edhe raportimet me vetiniciativë të Kryeministrit në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues”.

“Meqë përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi është çështje e interesit nacional, pritjet tona janë që edhe subjektet politike opozitare të tregohen të përgjegjeshme dhe serioze në përpjekjet e tyre për ta mbajtur Qeverinë llogaridhënëse dhe për të ofruar kapacitetet e tyre në formësimin e qëndrimeve sa më konsensuale të palës kosovare”, shtohet tutje nga KDI.

“Diplomacia Sekrete” – gjeneron frikë, minon besimin, rrezikon zbatimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore