Lajme

KDI publikon raportin për 5 komunat më transparente në Kosovë


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin “Transparometri komunal 2020 dhe Transparenca e komunave në retrospektivë” për 38 komunat e Kosovës.

Sipas KDI-së, pesë komunat më transparente për këtë vit janë: Rahoveci, Lipjani, Drenasi, Gjakova dhe Mitrovica e Jugut.

Performanca e institucioneve të qeverisjes lokale është bërë në bazë të 48 indikatorëve.

Në konferencë, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se, përmes transparencës,  synojnë të rritet llogaridhënia e komunave.

“Transparometri ka për qëllim që të mundësojë një lloj replikimi, që komunat të mund të replikojnë në nxitje të transparencës”.

Naim Canhanaj, menaxher i KDI-së, është shprehur se komunat kanë shënuar përparim në aspektin e transparencës dhe llogaridhënies.

“Pas top 5 komunave, me performancë më të mirë, me 75 pikë janë Prishtina, Peja e të tjera. 18 komuna kanë qenë të përfshira në organizime buxhetore, ndërsa 20 të tjera jo”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka konsideruar shoqërinë civile ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të shtetit.

Krasniqi tha se ministria ka dy projekte kapitale, të cilat do të ndikojnë në transparencën e komunave.

“Jemi të angazhuar në krijimin e kushteve për anëtarësim të komunave në nivel lokal dhe qendror. Tani është marrë vendimi që të krijohet këshilli nacional. Është një punë voluminoze, që të krijohen kushte për anëtarësim”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë, i pranishëm ishte edhe Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit, i cili është shprehur se kjo është ndihmesë e madhe e komunave për të ngritur performancën.

“Vlerësoj që viti i kaluar ka qenë pengesë i këtyre indikatorëve. Uroj që të vazhdojmë me këto lloj matje transparence”.

Gjithashtu, edhe Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se komuna që drejton, ka rritur transparencën dhe llogaridhënien.

“KDI e ka vlerësuar komunën e Rahovecit në 48 indikatorë. Ne si komunë jemi vlerësuar me pikë maksimale. Nga viti në vit, duhet të kemi rritje sa i përket transparencës dhe llogaridhënies”, tha ai.

Kurse Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për çdo vit, publikon raportin “Transparometri”,  përmes të cilit bëhet matja e transparencës dhe performanca e institucioneve komunale. Ky hulumtim kryekëput bazohet në një numër të caktuar të indikatorëve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore