Lajme

KDI prezanton “Indeksin e Transparencës”, Prishtina renditet e para, Kamenica e fundit


Instituti Demokratik i Kosovës, ka prezantuar “Indeksin e Transparencës” së komunave për vitin 2020, si pjesë e projektit të USAID-it për transparencë në qeverisjen lokale.

Me këtë rast, për herën e tretë me radhë, Prishtina u vlerësua me notën maksimale, si 100 për qind transparente.

Në kuadër të projektit të USAID-it për komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse, KDI ka publikuar “Indeksin e Transparencës” për qeverisjen komunale për vitin 2020.

Rezultatet e indeksit variojnë nga matjet e 41 indikatorëve në gjashtë shtylla të qeverisjes përfshirë këtu; transparencën e komunave në shpenzimet publike të realizuara përmes prokurimit publik, transparencën buxhetore, transparencën në grante dhe subvencione, nivelin e përfshirjes së publikut në vendim marrje komunale, qasjen në dokumente publike si dhe përgjegjshmërinë e komunave për adresuar risqet e korrupsionit e konfliktin e interesit.

Diana Metushi – Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit theksoi se gjatë vitit 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, Kosova pësoi një rënie të transparencës në qeverisjen lokale prej 1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

“Transparenca e përgjithshme në gjashtë shtyllat e matura në vitin 2020 është 69 për qind krahasuar me 70 për qind në 2019. Ky është një tregues i qartë se përveç sfidave për t’u ballafaquar me një forcë madhore, komunat duhet të përqendrohen në publikimin e më shumë informatave për qytetarët e tyre”, tha ajo.

Në vazhdim, Metushi – Krasniqi,  shtoi se “publikimi i këtyre dokumenteve në faqet e internetit të komunave është linja e parë e llogaridhënies ndaj qytetarëve të tyre dhe se për më tepër, kjo dëshmohet edhe nga numri i vizitave në faqet e internetit të komunave.

“Sipas informacionit të marrë nga Ministria e Pushtetit Lokal, faqet e internetit të komunave në vitin 2020 u vizituan 4,167,112 herë, nga 1,248,850 vizitorë”, shtoi ajo.

Pikët mesatare të transparencës në prokurimin publik kanë mbetur të njëjta me ato të vitit 2019 (57 për qind), viti 2020 tregoi një ndryshim prej -12 për qind në shtyllën e transparencës buxhetore, nga 73 për qind në 2019 në 61 për qind në 2020.

Një ndryshim prej -3 për qind të transparencës në komuna ishte vërejtur edhe në promovimin e etikës profesionale dhe luftimin e konfliktit të interesit nga 76 për qind në 2019 në 73 për qind në 2020.

Sipas të dhënave që disponon KDI, të marra nga 32 komuna, gjatë vitit 2020, këto komuna organizuan 169 dëgjime buxhetore me 16,718 pjesëmarrës dhe një nga kontribuuesit kryesorë në rritjen e pjesëmarrjes së publikut ishte përdorimi i rrjeteve sociale si mjete dixhitale të komunikimit me qytetarët.

Po ashtu, në krahasim me vitin 2019, edhe pse numri i kërkesave për qasje në dokumente publike ishte ulur (nga 1 mijë e 39 në vitin 2019 në 843 kërkesa në vitin 2020), indeksi tregon se komunat ishin më të gatshme për t’ju përgjigjur atyre (84 për qind në 2020 krahasuar me 78 për qind në 2019).

Lidhur me këtë zhvillim, pa reaguar nuk e la as i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, përmes një postimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se kryeqyteti radhitet i pari me notën maksimale.

“Rruga e vetme drejt qeverisjes së mirë, është hapja karshi qytetarëve dhe publikimi i të gjitha shpenzimeve dhe kontratave që i bën secila komunë, ashtu siç i publikon Kryeqyteti, Prishtina”, mbishkroi ai.

Vendi i parë shkon për Komunën e Prishtinës, e udhëhequr nga Shpend Ahmeti me 100 për qind transparencë, pas saj radhitet Komuna e Lipjanit, e udhëhequr nga Imri Ahmeti, me 98.75 për qind transparencë, ndërsa në të tretin u pozicionua Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga Ardian Gjini, me 94.50 për qind transparencë.

Sipas KDI-së, vendi me më pak transparencë është Komuna e Kamenicës e udhëhequr nga Qëndron Kastrati, me 75.23 për qind transparencë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore