Lajme

KB: 2.3 milionë fëmijë në Jemen në krizë urie


Agjencitë e Kombeve të Bashkuara (KB), kanë njoftuar se rreth 2.3 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç parashikohet të vuajnë nga kequshqyerja akute këtë vit në Jemen.

Prej tyre, 400 mijë  parashikohet të vuajnë nga kequshqyerja akute e rëndë dhe mund të vdesin nëse nuk marrin trajtim urgjent.

David Beasley, shefi i Programit Botëror të Ushqimit është shprehur se këta numra janë një thirrje tjetër për ndihmë nga Jemeni ku çdo fëmijë i kequshqyer do të thotë gjithashtu një familje që lufton për të mbijetuar.

Numri i fëmijëve jemenas në rrezik vdekjeje nga mungesa e ushqimit është rritur në 400 mijë një rritje prej 22% në 2020.

“Më shumë fëmijë do të vdesin çdo ditë që kalon pa asnjë veprim”, tha Henrietta Fore, kryetarja e agjencisë së fëmijëve të Kombeve të Bashkuara UNICEF.

Agjencitë e KB-së paralajmëruan se rreth 1.2 milion gra shtatzëna gjithashtu pritet të vuajnë nga kequshqyerja ekstreme në 2021.

Lufta në Jemen

Jemeni është përfshirë nga një luftë që shpërtheu në 2014 kur rebelët Houthi morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa dhe pjesën më të madhe të veriut të vendit pasi përmbysën qeverinë e mbështetur ndërkombëtarisht.

Muaj më vonë, një koalicion i udhëhequr nga Sauditi nisi një ofensivë ushtarake në mbështetje të Presidentit Abd-Rabbu Mansour Hadi.

Tërheqja e mbështetjes ushtarake të SHBA-së

Javën e kaluar, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden ka njoftuar se do të tërheqë mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Arabinë Saudite në Jemen.

Presidenti, duke folur për Departamentin e Shtetit, tha se “mbështetja e SHBA-së për operacionet sulmuese në Jemen do të përfundonte duke përfshirë shitjen e armëve. Ai shtoi se lufta ka krijuar katastrofë humanitare dhe strategjike”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore