Shqipëria

Kavoja e ndryshkur, midis jetës dhe vdekjes në Labinot-Fushë


Kavoja e çelikut ishte akoma aty, e ndryshkur, por e fortë. Mjetet primitive, tek të cilat mbaheshin banorët për të kaluar nga njëri krah në krahun tjetër të lumit, ishin po aty. Mbi atë çfarë kishte mbetur nga “platforma e nisjes”, ishte vendosur një dërrasë e kalbur nga era dhe shiu. Mbi këtë të fundit, një tjetër pak më e mirëmbajtur.

Ky “sport” i rrezikshëm kishte akoma “lojtarë”.

Banorët e fshatit

Labinot-Fusha, një fshat 10-të kilometra larg qytetit të Elbasanit vazhdon të shohë akoma banorë, të cilët vënë në rrezik jetën nëpërmjet këtij kalimi.

Jonuzi, banori rreth 60-vjeç, ishte duke kaluar në kavon e gjatë rreth 150 metra, e vendosur mes tre shtyllave në Shkumbin. Në duar mbante një qese me ushqime, të cilën mezi e tërhiqte.

“Këtu kaloj përditë, jo vetëm unë por banorët e 15-shtëpive. Vëmë jetën në rrezik. Kemi shumë frikë kur kalojmë këtu. “Urën” e kemi bërë me forcat tona, e kemi krijuar ne si zgjidhje. Për të kaluar pa frikë, duhet të ecim katër-pesë orë në këmbë. Këtu i kalojmë fëmijët dhe të sëmurët. Para 17-vitesh edhe arkivolin e kemi kaluar këtu”, na tregoi banori Jonuz Tanushi.

E ftuam që këto t’i thoshte para kamerës, por nuk pranoi. “Nuk dua të dal përpara kamerës se fillojnë dhe tallen me ne”.

Jonuzi na tha se njërën nga këmbët e kësaj “ure” të improvizuar e kanë ndërtuar familjet e fshatit me paratë e tyre.

“Këmbën e tretë të urës e kemi ndërtuar ne. 2 milionë e gjysmë kemi harxhuar. Kemi bërë disa kërkesa, por asnjëherë nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Është ndërtuar një urë në fshatin Mirakë, katër orë larg nesh, aty na thonë ata që të kalojmë”.

“Dalim nga shtëpitë dhe ja ku e kemi “urën”. Dimër apo verë, ky është kalimi ynë drejt qytetit”, thotë një banor tjetër.

Pamja nga rruga

Rruga kryesore kishte plot lëvizje makinash. Kjo nuk mund të thuhet për pamjen përballë. Në krah të djathtë, rrëzë faqes së kodrës dukeshin disa shtëpi, dy-tre të braktisura. Kishte shtëpi të mirëmbajtura. Në njërën nga to dukej një parcelë e mbjellur me pemë ulliri dhe hardhi rrushi, të cilat ishin punuar së fundmi.

Në mes të grykës së malit dalloheshin edhe disa objekte të tjera. Herë ngjanin si shtëpi, herë si kasolle.

“Kur niveli i lumit rritet, banorët e kalojnë lumin me kavo. Gjatë verës, banorët kalojnë në këmbë mes tij”. Këtë na e tha ruajtësi i një objekti aty pranë.

Në njërin nga cepat e kësaj “ure”, ishin të vendosura ganxhat e hekurit të ndërtuara që herët. Me to realizohej kalimi. Secili banor kishte nga një ganxhë.

Administratori i komunës

Administratori i Komunës së Shushicës, tha për Albanian Post se rruga është zgjidhje e krijuar nga vetë banorët.

“Disa kilometra më tej ndodhet një urë. Ne kemi marrë masa për mirëmbajtjen e këtij “kalimi të improvizuar” dhe për riparimin e dërrasave. Edhe ne e kemi përcjellë disa herë këtë shqetësimin, por nuk kemi marrë një përgjigje”, tha ai.

Deri më sot askush nuk ka shkuar ta rindërtojë këtë kalim.

Lumi Shkumbin kishte gërryer edhe më shumë sipërfaqje tokash këtë vit. Të lirë dhe pa frikë mbi të fluturonin vetëm zogjtë.

Të adaptuar me këtë realitet, banorët vazhdojnë të ndjekin traditën.

Labinot-Fusha ngjan vërtetë si një destinacion alpinistësh të pasionuar. Por, kundrejt dëshirës, sportin e rrezikshëm këtu, e ushtrojnë fshatarët amatorë, të shtyrë nga nevoja.

Mbase, edhe nga dëshira!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore