Lajme

Katërvjeçarja Liza, simbol i një konflikti që nuk e paralajmëron fundin


Jeta dhe vdekja e katërvjeçares Liza Dmitrieva është simbol i një konflikti ku vdekja vjen pa paralajmërim.

Ajo mbeti e vrarë në një sulm me raketa ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Vinnytsia, të enjten e 14 korrikut.

Një sërë videosh dhe imazhesh vërshuan në mediat sociale.

E ëma, Iryna, humbi një këmbë nga bombardimet. Një akt që u dënua nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si “një akt i hapur terrorizmi”.

Ajo e kishte dërguar vajzën e saj me një karrocë rozë në një qendër edukimi në një qytet që besohet se ishte larg vijës së frontit, katër orë me makinë në perëndim të kryeqytetit Kiev.

Të kapura në orën 9:38 të mëngjesit, në pamjet e para Liza mund të shihet me një bluzë xhins blu duke shtyrë karrocën e saj.

Flokët i kish të lidhura me një kapëse të bardhë në formë fluture.

Liza buzëqesh dhe shikon nënën e saj që ecën përkrah.

Herë pas here në vëmendje vjen edhe Iryna, e veshur me të bardha dhe me një buzëqeshje të ndrojtur. Kurse në një imazh tjetër, Liza shihet duke u ulur pranë një tavoline të ulët në qendrën arsimore duke studiuar një fletë fotografish në një seancë terapie.

Të dyja, pak para orës 11:00 të mëngjesit, dalin për të ecur përgjatë trotuarit nga njëra anë e sheshit qendror Premehoy në Vinnytsia, duke kaluar pranë Shtëpisë së Oficerëve të qytetit, një ndërtesë me kolona të ish-kohës sovjetike që përdoret si qendër kulturore.

Liza nuk arriti kurrë në shtëpi.

Pas asaj ore, tre raketa të lëshuara nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi, u përplasën në shesh, duke shpërthyer pranë qendrës kulturore, duke shpërthyer dritaret në një ndërtesë shumëkatëshe dhe duke vendosur ne zjarr dhjetëra makina në një parking aty pranë.

Mes masakrës, pamje të shumta e shfaqin Lizën të shtrirë krah karrocës së përmbysur.

Aty pranë shihet edhe një këmbë e prerë. Fragmente të mëdha metali duket që mbushin sheshin. Kurse shtëllunga tymi duket që e mbushin qiellin.

Liza ishte një nga tre fëmijët e vrarë në sulmin në një rrugë të ngarkuar në një qytet që kishte shpëtuar relativisht i paprekur nga pushtimi.

E ëma e saj i mbijetoi shpërthimit fillestar me plagë të rënda.

Olena Zelenska, gruaja e Presidentit Zelenskiy, ka treguar se e ka njohur vajzën e vogël nga një video e Krishtlindjeve që ajo bëri për festat.

“Sot u tmerruam kur pamë një foto të një karroce për fëmijë të përmbysur. Dhe pastaj, duke lexuar lajmet, kuptova se e njihja këtë vajzë”, ka thënë Zelenska.

“U takuam gjatë regjistrimit të një videoje për festat e Krishtlindjeve”, ka treguar ajo.

Në videon e publikuar nga ajo në Twitter, Liza shihet teksa pikturon me Zonjën e Parë.

“Liza ia doli të pikturonte jo vetëm veten, fustanin e festës, por edhe të gjithë fëmijët e tjerë, mua, kameramanët dhe regjisorin”, ka shkruar ajo.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore