Sport

Katër skuadra nga Superliga e Kosovës në garat evropiane


Agim Ademi

Gjatë sezonit të ardhshëm 2022/2023, Kosova do të paraqitet me katër ekipe në garat evropiane, të cilat do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve, Europa League dhe në Conference League.

Në sezonin 2020/2021, tre ekipe po marrin pjesë në garat evropiane, Drita, Llapi dhe Prishtina ku këta të fundit kaluan në “playoff-in” për të hyrë në Ligën e Kampionëve, ku humbën nga Ferencvarosi, ndërsa Llapi dhe Drita merrnin pjesë në Conference League.

Presidenti i Federatës së Futbollit Kosovar, Agim Ademi, ka falënderuar klubet dhe është shumë mirënjohës se 40 për qind e klubeve në superligën e Kosovës do të marrin pjesë në garat ndërkombëtare nga sezoni i ardhshëm.

“Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin tonë. Jemi angazhuar shumë për këtë çështje, duke bërë kërkesa të vazhdueshme në UEFA, sepse jemi federata më e re e pranuar në FIFA dhe UEFA, por jo vetëm për këtë. Tani që Superliga është me 10 ekipe, nëse e llogarisim me përqindje i bie që 40% e ligës tonë të jetë në garat ndërkombëtare. Në këtë rast përveç punës tonë që e kemi bërë, i falënderoj shumë edhe organet e UEFA-s që na mirëkuptuan, por më së shumti i falënderoj klubet të cilat këtë vit kanë performuar dhe po performojnë jashtëzakonisht mirë, pasi që koeficienti fitohet nga performanca e tyre. I uroj klubet e Superligës, të cilat sigurisht se do ta mirëpresin këtë lajm pasi që shkuarja e më shumë ekipeve në Evropë nënkupton edhe rritje të ekonomisë në Kosovë, më shumë kualitet në futboll dhe organizim më të mirë të klubeve po ashtu”, ka thënë presidenti Ademi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore