Lajme

Katër në dhjetë burra mund të humbin kromozomin Y, dëme në zemër


Te meshkujt mund të ndodhë që disa qeliza të gjakut të humbasin kromozomin Y.

Dhe kjo mund të shoqërohet me pasoja të shumta, nga reduktimi i jetëgjatësisë deri te një sërë problemesh me zemrën.

Kështu ka rezultuar nga një hulumtim i koordinuar nga studiues të Qendrës së Kërkimeve Kardiovaskulare të Universitetit të Virginia-s.

Sipas studiuesve, humbja e kromozomit Y nga qelizat e bardha të gjakut mund të dëmtojë indet e zemrës dhe të shkaktojë fibrozë.

Me fjalë të tjera, mund të shkaktojë formimin e plagëve që ngurtësojnë muskujt e zemrës dhe që shoqërohen me ulje të funksionit të zemrës.

Gratë kanë dy kromozome X, ndërsa burrat kanë një X dhe një Y.

Megjithatë, vlerësohet se katër në dhjetë burra pas moshës 70-vjeçare përjetojnë një humbje të këtyre të fundit në një pjesë të qelizave të tyre.

Çka është një gjendje që është shoqëruar me jetëgjatësi më të shkurtër dhe një rrezik në rritje të sëmundjeve të lidhura me plakjen, si tumoret dhe sëmundja e Alzheimerit.

Mirëpo, studimi i fundit ka zbuluar se ky fenomen mund të dëmtojë edhe funksionin e zemrës.

Në përpjekje për të kuptuar mekanizmat e përfshirë, studiuesit përdorën teknikën e inxhinierisë gjenetike Crispr në minj pa kromozome Y në qelizat e tyre të bardha të gjakut për të simuluar gjendjen njerëzore të mLOY.

Më tej, ata analizuan të dhënat nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, një bazë të dhënash e madhe ku ka informacione gjenetike dhe shëndetësore të rreth gjysmë milioni të rriturve.

Studiuesit kanë parë se humbja e kromozomit Y përshpejton sëmundjet e lidhura me moshën, duke i bërë minjtë më të prirur për vdekje të parakohshme, falë një serie reagimesh komplekse të sistemit imunitar.

Referuar analizës së të dhënave të biobankës u konfirmua ajo që u vu re te minjtë: meshkujt te të cilët u vu re një humbje e kromozomit Y kishin, pas një mesatare prej 11 vitesh, kishte një rrezik më të lartë të vdekjes në krahasim me meshkujt pa këtë problem .

Por autorët e studimit nuk u mjaftuan me kaq.

Ata identifikuan gjithashtu një terapi të mundshme për të kufizuar fibrozën, edhe pse tani për tani ajo është ende një perspektivë e largët.

Bëhet fjalë për një ilaç, pirfenidoni, i miratuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (Fda) për trajtimin e fibrozës pulmonare idiopatike, një sëmundje e karakterizuar nga formimi i indit fibrotik në mushkëri që çon në një rënie progresive të funksionalitetit.

Ilaçi po testohet gjithashtu për mosfunksionimin e zemrës dhe sëmundjet kronike të veshkave.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore