Sport

Katër herë kampioni i botës, Sebastian Vettel në fund sezonit tërhiqet nga F1


Sebastian Vettel, katër herë kampioni i botës, ka konfirmuar se në fund të sezonit aktual do të tërhiqet nga Formula 1 (F1).

35-vjeçari, i cili e filloi karrierën e tij në F1 në mes të sezonit 2007 dhe shijoi vitet e tij më të mira me Red Bull, e bëri njoftimin përpara Çmimit të Madh të Hungarisë të kësaj fundjave.

Vendimi i gjermanit për t’u larguar nga sporti vjen vetëm disa javë pasi ai tha se po konsideronte largimin nga F1 për shkak të shqetësimeve të tij mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Duke folur në “Question Time” të “BBC”-se disa kohë më parë, piloti i Aston Martin tha se ndihet “hipokrit”, ndërsa vijon fushatën pro-mjedisit dhe njëkohësisht garon në F1.

Tashmë duket se fjalët po shkojnë drejt zyrtarizimit të vendimit të pilotit.

“Vendimi për t’u tërhequr ka qenë i vështirë për mua dhe kam kaluar shumë kohë duke menduar për të”, tha Vettel.

“Në fund të vitit dua të gjej pak më shumë kohë për të reflektuar se në çfarë do të fokusohem në vijim”.

“Por sot nuk është për të thënë lamtumirë”.

“Përkundrazi, bëhet fjalë për të thënë faleminderit, për të gjithë, jo më pak për tifozët, pa mbështetjen e pasionuar të të cilëve Formula 1 nuk mund të ekzistonte”, vijoi gjermani.

Vettel do të garojë në Çmimin e Madh të Abu Dhabit në fund të sezonit në nëntor, i cili do të shënojë garën e tij të 300-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore