Sport

Kategoria Superiore zbret në fushë për javën e 33, spikat derbi i kryeqytetit


Kategoria Superiore do të luajë ditën e enjte pesë ndeshjet e javës së 33 të saj. Ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave është dueli ndërmjet Partizanit dhe Tiranës. Katër ndeshje do të luhen duke filluar nga ora 16:00, ndërsa derbi do të luhet duke filluar nga ora 19:00.

Teuta kryeson Superioren me 59 pikë pas 32 javëve të luajtura. Në garë për titull janë edhe Partizani, Laçi, Vllaznia dhe Tirana.

Situatë e ngjshme është edhe për qëndrimin në Superiore, ku të rrezikuara për të rënë janë pesë ekipet e tjera Apolonia, Bylisi, Skënderbeu, Kastrioti dhe Kukësi.

Laçi do të presë Skënderbeun në stadiumin “Laçi”. Vendasit renditen të tretët në Superiore me 56 pikë, ndërsa korçarët renditen të tetët me 30 pikë.

Të dy ekipet janë me objektiva të ndryshme, pasi Laçi kërkon fitimin e trofeut, ndërsa Skënderbeu qëndrimin në Superiore.

Apolonia do të presë në Fier Kukësin. Vendasit renditen në vendin e fundit të Superiores me 20 pikë, ndërsa verilindorët kanë 39 pikë. Të dy ekipet kanë si objektiv primar qëndrimin në Superiore tashmë.

Kastrioti do të presë Teutën në Kamëz. Në këtë rast, ekipet janë me obejktiva të kundërta. Vendasit kërkojnë qëndrimin në Superiore, pasi kanë 31 pikë dhe rrezikojnë rënien, duke qenë se janë në vendin e shtatë, ndërsa Teuta që është në vend të parë, kërkon të ruajë ritmin dhe të shpallet kampione në fund të kampionatit.

Bylisi do të presë në Ballsh Vllazninë. Vendasit renditen të nëntët me 30 pikë dhe janë në zonën e rrezikut, pasi bien automatikisht nëse mbajnë këto pozita deri në fund. Shkodranët renditen në vendin e katërt me 54 pikë.

Edhe në këtë rast, objektivat janë të kundërta. Bylisi kërkon qëndrimin në Superiore, ndërsa Vllaznia është midis titullit dhe Kupave të Europës.

Ndeshja e fundit e javës së 33 në Superiore, por jo për nga rëndesia është ajo midis Partizanit dhe Tiranës. Demat e Kuq renditen në vendin e dytë me 58 pikë, ndërsa bardheblutë në vendin e pestë me 53 pikë. Të dy ekipet janë në garë për titullin kampion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore