Sport

Kategoria Superiore zbret në fushë për javën e 22


Kategoria Superiore e Shqipërisë do të zbresë në fushë ditën e mërkurë, me katër sfida. Duke filluar nga ora 13:00, Tirana do të presë Bylisin, Skënderbeu Kastriotin, Apolonia Partizanin dhe Kukesi pret Laçin, me këta të fundit që do të luajnë duke filluar nga ora 16:00.

Në “Selman Stëramsi” bardheblutë do të presin miqtë nga Ballshi. Vendasit kanë 29 pikë, duke u renditur në vendin e gjashtë, kundrejt 18 pikëve dhe vendit të tetë për ballshiotët.

Të dy ekipet kanë objektiva të ndryshme, sidomos pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë, përkatësisht Tirana nga Korabi dhe Bylisi nga Dinamo.

Për, Tiranën pjesmarrja në kupat e europës, tashmë varet vetëm nga renditja në kampionat. Në krahun tjetër, Bylisi kërkon që të forcojë pozitat në renditje, për te shmangur rënien nga kategoria në fundin e sezonit.

Përgjatë dy fazave të para të kampionatit, ndeshjet mes tyre janë ndarë në barazim pa gola.

Në Korçë, vendasit kërkojnë të marrin tri pikët përballë një kundërshtari direkt, Kastriotit, përsa i përketë qëndrimit në Superiore.

Krutanët vijnë më të avantazhuar, pasi kanë grumbulluar 25 pikë dhe gjenden në vendin e shtatë, ndërsa korçarët kanë 13 pikë dhe janë në vendin e fundit.

Në dy takimet e mëparshme ekipet janë ndarë me rezultatet 2-2 me Kastriotin si vendas dhe 1-2 në Korçë.

Apolonia e vendit të parafundit gjithashtu kërkon rezultat pozitiv përballë Partizanit të vendit të dytë. Ashtu si Skënderbeu dhe Bylisi, edhe fierakët kërkojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë, për të shmangur rënien nga kategoria në mënyrë të automatike.

Vendasit aktualisht kanë 14 pikë në rendtije, kundrejt 38 pikëve që kanë Demat e Kuq. Për ekipin e Ilir Dajës, kjo ndeshje është thelbësore në rrugën drejt titullit kampion, pasi gjendet vetëm tre pikë larg Vllaznisë së vendit të parë.

Dy takimet e mëparshme mes këtyre dy ekipeve kanë përfunduar 1-1 në “Elbasan Arena” dhe 0-3 në Fier.

Kukësi kërkon të shpëtojë sezonin në ndeshjet e mbetura të Superiores dhe do të kërkojë të ruajë ecurinë pozitive edhe përballë Laçit.

30 pikë kanë vendasit në Superiore dhe renditen në vendin e pestë, kundrejt vendit të tretë dhe 37 pikëve të miqëve.

Në ndryshim nga Kukësi, Laçi duket se është një kanditat serioz për trofeun e Superiores, pasi qëndron katër pikë larg Vllaznisë.

Në dy përballjet direkte mes tyre, Kukësi dhe Laçi kanë nga një fitore në fushat respektive. Përkatësisht 1-0 me Kukësin si vendas dhe 3-2 në Laç.

Sfida e fundit e Kateogrisë Superiore do të jetë ajo midis Teutës dhe Vllaznisë. Sfidë e cila do të luhet  duke filluar nga ora 16:00, në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore