Sport

Kategoria Superiore zbret në fushë për javën e 20


Kategoria Superiore e futbollit shqiptar do të zbresë në fushë ditën e shtunë me tre sfida të javës së 20. Tirana do të presë Teutën, Laçi do të presë Kastriotin dhe në Fier do të ketë derbi midis Apolonisë dhe Bylisit. Të gjitha ndeshjet do të luhen duke filluar nga ora 13:00.

Tirana përballë Teutës është super sfida e ditës së shtunë në Superiore. Vendasit renditen në vendin e gjashtë me 26 pikë, kundrejt 33 pikëve dhe vendit të tretë që kanë durrsakët.

Si ekip pritës bardheblutë numërojnë katër fitore, tre humbje dhe tre barazime. Teuta si ekip udhëtues numëron pesë fitore, dy barazime dhe dy humbje.

Dy ndeshjet e mëparëshme midis dy ekipeve, për llogari të dy fazave të para të Superiores, kanë përfunduar 0-1 në Tiranë dhe 1-1 në Durrës.

Laçi i vendit të katërt në renditje do të presë Kastriotin e vendit të shtatë. 33 pikë kanë vendasit, kundrejt 24 pikëve të miqëve.

Kurbinasit si ekip pritës numërojnë gjashtë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje. Nga ana tjetër, krutanët si ekip udhëtues numërojnë dy fitore, tre barazime dhe katër humbje.

Dy ndeshjet e fundit midis dy ekipeve kanë përfunduar, 1-1 në Laç dhe 1-0 në Kamëz (ku Kastrioti luan ndeshjet si ekip pritës).

Apolonia do të presë Bylisin, në atë që njihet si derbi i qarkut Fier ose derbi i Jugut në Superiore. Vendasit kanë 13 pikë dhe renditen në vendin e tetë të Superiores. Miqtë kanë 12 pikë dhe renditen në vendin e fundit.

Fierakët si ekip pritës numërojnë tre fitore, një barazim dhe pesë humbje. Bylisi si ekip udhëtues numëron tre barazime dhe gjashtë humbje.

Dy ndeshjet e mëparëshme midis dy ekipeve kanë përfunduar 2-2 në Fier dhe 3-1 në Ballsh.

Të dielën do të luhen dy sfidat e mbetura, në Korçë, Skënderbeu do të presë Vllazninë, duke filluar nga ora 13:00 dhe në “Elbasan Arena” Kukësi do të presë Partizanin duke filluar nga ora 16:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore