Sport

Kategoria Superiore zbret në fushë me tre sfidat e ditës


Kategoria Superiore e Shqipërisë do të luajë ditën e diel, tre sfidat e fundit të javës së 26-të saj.

Duke filluar nga ora 13:00, Bylisi do të presë Kastriotin në Ballsh. Vendasit mbajnë vendin e tetë në renditje me 25 pikë, ndërsa miqtë, vendin e shtatë, me 29 pikë.

Bylisi vjen në këtë ndeshje pas dy fitoreve, atë përballë Kukësit në Ballsh, me rezultatin 2-1 dhe me Vllazninë në Shkodër, 1-2. Kastrioti vjen pas humbjes 0-1 me Vllazninë dhe barazimit pa gola në Durrës.

Dy ndeshjet e fundit, përgjatë dy fazave të para të Superiores, kanë përfunduar me rezultatet 1-0 për Kastriotin dhe 2-1 për Bylisin.

Në ndeshjet në shtëpi, Bylisi numëron katër fitore, katër barazime dhe pesë humbje. Kastrioti në ndeshjet jashtë, numëron tre fitore, katër barazime dhe pesë humbje.

Në Tiranë, vendasit presin Apoloninë, duke filluar nga ora 16:00. Bardheblutë renditen në vendin e pestë në kampionat, me 39 pikë. Apolonia mban vendin e fundit në renditje me 17 pikë.

Tirana vjen në këtë ndeshje, pas fitores në Laç, me rezultatin 1-2 dhe pas humbjes në derbi me po të njëjtin rezultat. Apolonia vjen pas humbjes në shtëpi, me rezultatin 1-2 përballë Skënderbeut dhe pas barazimit 1-1 me Kukësin.

Si ekip pritës, Tirana numëron pesë fitore, tre barazime dhe pesë humbje. Apolonia si ekip udhëtues, numëron gjashtë barazime dhe shtatë humbje. Fierakët janë në kërkim të fitores së parë në transfertë.

Dy ndeshjet e fundit mes dy ekipeve, të luajtura përgjatë dy fazave të para kanë përfunduar me rezultatet, 0-1 në Fier dhe 3-0 në Tiranë.

Ndeshja tjetër e orës 16:00 dhe e fundit për këtë javë në Superiore është ajo midis Kukësit dhe Skënderbeut. Verilindorët ndodhen në vendin e gjashtë në kampionat me 32 pikë. Korçarët ndodhen në vendin e nëntë me 19 pikë.

Kukësi vjen në këtë ndeshje pas humbjes me Bylisin me shifrat 2-1 dhe humbjes në Kupën e Shqipërisë me shifrat 1-0 përballë Teutës. Skënderbeu vjen pas dy fitoreve. Përkatësisht, korçarët fituan përballë Apolonisë në Fier, me rezultatin 1-2 dhe mundën Dinamon në Kupën e Shqipërisë me rezultatin 1-3.

Në ndeshjet si ekip pritës, Kukësi ka arritur katër fitore, dy barazime dhe gjashtë humbje. Skënderbeu në transfertë numëron, tre fitore, tre barazime dhe shtatë humbje.

Dy përballjet e fundit mes Kukësit dhe Skënderbeut kanë përfunduar, 0-4 në Korçë dhe 3-1 me Kukësin si ekip pritës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore