Sport

Kategoria Superiore U-21 fillon më 29 shtator, hidhet shorti


Është hedhur shorti për edicionin e ri të Kategorisë Superiore U-21 2021/22 në ambintet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) gjatë ditës së enjte.

Shorti u hodh nga drejtuesi i Departamentit të Garave dhe Kompeticioneve në FSHF, Marjus Sulejmani.

Të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të klubeve pjesëmarrëse në këtë kompeticion. Sezoni për ekipet 21-vjeçare do të nisë më 29 shtator dhe në këtë kampionat marrin pjesë 10 klube e më konkretisht KF Turbina, KF Partizani, FK Apolonia, KF Vllaznia, FK Kukësi, KF Laçi, FK Dinamo, KF Egnatia, KF Tirana dhe KF Bylis.

Ky është edicion i dytë i Kategorisë Superiore U-21. Sezoni i parë u përmbyll me sukses, teksa kampion për edicionin e parë u shpall KF Bylis.

Ky kompeticion është një risi e FSHF që vendosi vitin e kaluar të merrte këtë iniciativë dhe t’i jepte jetë këtij projekti mjaft të rëndësishëm për futbollin.

Vendimi u mor në mënyrë që lojtarët e shumtë të cilët mbyllin ciklin me ekipet e moshave U-19 dhe nuk kanë hapësira momentale për të vazhduar karrierën me ekipet e të rriturve, të kenë mundësi të aktivizohen sa më shumë me ekipet e 21-vjeçarëve.

Edhe për klubet që kanë shumë lojtarë që vijnë nga akademitë është një mundësi e mirë për të pasur futbollistë që aktivizohen me ekipet U-21 dhe mund të jenë të gatshëm në çdo moment për të luajtur me ekipet e të rriturve sipas parashikimeve të rregullores.

Edicioni i ri do të nisë më datë 29 shtator me këto 5 sfida të javës së parë që luhen në orën 14:00:

KF Turbina – KF Partizani

FK Apolonia – KF Vllaznia

FK Kukësi – KF Laçi

FK Dinamo – KF Egnatia

KF Tirana – KF Bylis

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore