Sport

Kategoria Superiore/Sfidat e ditës premtojnë spektakël, nga lufta për titull deri te mbijetesa


Kategoria Superiore do të luajë ndeshjet e mbetura për javën e 21-të. Dita e shtunë ka katër sfida interesante. Në Ballsh dhe në Kamëz luhet mbijetesa, midis Bylisit dhe Skënderbeut, si dhe Kastriotit me Apoloninë. Dy ndeshjet e tjera janë klasikja e futbollit shqiptar midis Vllaznisë dhe Tiranës, si dhe Partizani kundër Laçit.

Superiorja nisi ditën e premte me sfidën Teuta – Kukësi, e përfunduar në barazim 2-2. Duke filluar nga ora 13:00 e ditës së shtunë, Bylisi vendas do të presë Skënderbeun. Ballshiotët janë në vendin e tetë të renditjes me vetëm dy pikë më shumë se Skënderbeu.

Në shtëpi, Bylisi numëron dy fitore, tre barazime dhe pesë humbje. Miqtë në transfertë numërojnë një fitore, tri barazime dhe gjashtë humbje.

Në dy ndeshjet e mëparshme, të luajtura gjatë këtij sezoni, Skënderbeu ka dalë fitues. Përkatësisht 0-2 në Ballsh dhe 4-3 në Korçë.

Kastrioti vendas pret Apoloninë. Krutanët janë më të avantazhuar në renditje. Pas 20 javësh, kanë grumbulluar 24 pikë dhe qëndrojnë në vendin e shtatë. Apolonia ka 13 pikë

dhe renditet në vendin e nëntë.

Në shtëpi krutanët numërojnë katër fitore, tre barazime dhe tre humbje. Miqtë si udhëtues numërojnë tre barazime dhe shtatë humbje.

Dy sfidat e mëparshme kanë përfunduar 1-1 në Kamëz, me Kastriotin si ekip pritës dhe 2-1 në Fier.

Vllaznia do të presë Tiranën në Shkodër, ndeshje, e cila, pavarësisht renditjeve, i gjen ekipet në formë jo të mirë. Në pesë ndeshjet e fundit Vllaznia numëron një fitore, një humbje dhe tre barazime, ndërsa Tirana dy fitore dhe tre humbje.

Vllaznia qëndron në krye të Superiores me 41 pikë, kundrejt 26 pikëve dhe vendit të gjashtë që ka Tirana në renditje.

Shkodranët në ndeshjet brenda numërojnë shtatë fitore, një barazim dhe dy humbje. Tirana si ekip mik ka dy fitore, pesë barazime dhe dy humbje.

Dy ndeshjet e fundit mes tyre kanë përfunduar, 3-2 në Shkodër dhe 1-1 në Tiranë.

Partizani dhe Laçi do të përmbyllin javën e 21-të të Superiores. Sfida do të luhet duke filluar nga ora 16:00.  Me Partizanin që, në pesë ndeshjet e fundit, numëron tri fitore dhe dy barazime, ndërsa Laçi i ka fituar të pesta ndeshjet.

Demat e Kuq renditen në vendin e dytë me 37 pikë. Laçi renditet në vendin e katërt me 36 pikë. Të dy ekipet janë në garë për titullin kampion dhe një ndalesë e Vllaznisë do t’u jepte më shumë përparësi, në rast fitoreje në këtë ndeshje.

Si ekip pritës, Partizani numëron katër fitore dhe pesë barazime. Laçi si ekip udhëtues numëron tre fitore, katër barazime dhe tri humbje.

Në dy ndeshjet e fundit midis tyre, Laçi ia ka dalë të marrë një fitore 3-2 në shtëpi dhe një barazim pa gola me Partizanin si ekip pritës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore