Sport

Kategoria Superiore nis fazën e katërt


Kategoria Superiore e futbollit të Shqiperise do të zbresë në fushë ditën e shtunë me dy ndeshje, duke filluar nga ora 16:00. Kukësi do të presë Tiranën dhe Partizani do të presë Kastriotin për llogari të javës së 28, ose javës se parë të fazës se katërt dhe të fundit për këtë sezon.

Kukësi i vendit të gjashtë përballet me Tiranën e vendit të pestë. Verilindorët kanë 35 pikë, kundrejt 42 pikëve që kanë bardheblutë. Të dy ekipet janë larg formës së sezonit të kaluar dhe janë në kërkim të tri pikëve, për të arritur në Kupat e Europës.

Tre ndeshjet e mëparëshme, përgjatë tre fazave të para të Superiores kanë përfunduar 2-0 për Tiranën, një fitore për Kukësin, po me shifrat 2-0 dhe një barazim pa gola.

Në ndeshjet si ekip pritës, Kukësi numëron katër fitore, dy barazime dhe shtatë humbje. Tirana si ekip udhëtues numëron pesë fitore, gjashtë barazime dhe dy humbje.

Kukësi vjen në këtë ndeshje pas fitores në transfertë përballë Kastriotit, me shifrat 0-3. Tirana vjen pas barazimit pa gola ne Korçë, me Skënderbeun.

Sfida tjetër do të jetë midis Partizanit të vendit të tretë dhe Kastriotit të vendit të shtatë. Demat e Kuq kanë 47 pikë në renditje, dy pikë më pak se Teuta kryesuese. Miqtë kanë 30 pikë, katër pikë më shume se Bylisi i vendit të tetë, që luan në play-off për qëndrimin në Superiore.

Tre ndeshjet e fundit, gjatë këtij sezoni kanë përfunduar me dy fitore të Partizanit, përkatësisht 0-3 dhe 2-0, si dhe një fitore për Kastriotin me shifrat 2-1.

Në ndeshjet si ekip pritës, Partizani numëron pesë fitore, shtatë barazime dhe një humbje. Kastrioti si ekip udhëtues numëron tre fitore dhe nga pesë barazime dhe humbje.

Partizani vjen në këtë sfidë pas fitores 3-0 përballë Bylisit, ndërsa Kastrioti vjen pas humbjes 0-3 me Kukësin.

Ditën e diel do të luhen tre ndeshjet e tjera të javës së 28. Apolonia pret Vllazninë, Skënderbeu pret Teutën dhe Laçi pret Bylisin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore