Kultura

Katedralja e Shkodrës


Një nga më madhështoret në Ballkan, Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër ka edhe një histori mbijetese të jashtëzakonshme.

Historia

Katedralja e Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor të Shkodrës, njihet gjithashtu edhe si Kisha e Madhe. Një herë e një kohë, katedralja ndodhej brenda mureve të kështjellës Rozafa deri në 1478. Vit kur pushtimi osman i qytetit të fortifikuar do ta shndërronte në xhami.

Qindra vite më vonë, në 1851-in, besimtarët shkodranë i kërkuan zyrtarisht Sulltanit në Stamboll që katedralja të ndërtohej në Shkodër. Pas 7 vitesh, në prill të vitit 1858, nisi ndërtimi i Katedrales.

Ndërtesa u rezistoi shkatërrimeve të luftërave ballkanike, tërmeteve dhe diktaturës komuniste. Në tregimet e qytetit thuhet se për ndërtimin e saj kontribuan të gjitha familjet katolike të Shkodrës, Papa Piu IX, Sulltani i kohës (pasi Shkodra ishte në pushtimin osman) deri edhe Perandori i Austrisë, Franc Jozefi. Katedralja, e cila njihet si një nga më të mëdhatë në Ballkan, u bekua nga shenjtëria e tij Papa Gjon Pali II në vitin 1993.

Vendndodhja dhe arkitektura

Kisha e Madhe është në zemër të qytetit, shumë pranë pedonales së Shkodrës, një prej zonave më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj. Ndërtesa kryesore i ngjan trupit të Katedrales së Parisit. Në fotot e vjetra shquhen afresket mbi mure, një pjesë e të cilave ishte vepër e piktorit të Shkodrës, Kol Idromeno. Më 1967, Katedralja e Shkodrës u kthye në Pallat Sporti. Fatmirësisht nuk pësoi dëmtime serioze dhe, me ndërrimin e sistemit politik, u bë streha e besimtarëve të të gjithë veriut.

Ndërtesa shtrihet mbi një planimetri të mirëmenduar e paraprihet nga një shesh i madh përpara. Pjesa fundore e saj lidhet në mënyrë harmonike me kullën e këmbanës dhe, në një prej faqeve të kullës, shquhet sahati. Ora e parë për muret e këmbanares është dhuruar nga një prej familjeve të qytetit.

Katedralja, simbol i lirisë

Shkodra ka numrin më të madh të klerikëve martirë, të cilët dhanë jetën e tyre me përulësi për lirinë e besimit dhe dëshminë e dashurisë së Zotit. Shumë famullitarë, klerikë të lartë u torturuan dhe u vranë barbarisht gjatë kohës së diktaturës. Ata janë lumturuar nga Vatikani për mbrojtjen e krishterimit dhe, çdo vit, në Katedrale një meshë u kushtohet lumnimit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore